Dita e dytë e protestës kundër vrasjes së grave në Prishtinë, qytetarët kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie
Protesta kundër vrasjes së grave dhe kërkesat për drejtësi e përgjegjësi institucionale kanë vazhduar edhe gjatë ditës së dytë në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të kërkuar përgjigje nga institucionet pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Përmes pankartave, thirrjeve dhe pranisë së tyre para institucioneve, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si trajtohen rastet…
Lajme
Protesta kundër vrasjes së grave dhe kërkesat për drejtësi e përgjegjësi institucionale kanë vazhduar edhe gjatë ditës së dytë në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të kërkuar përgjigje nga institucionet pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes pankartave, thirrjeve dhe pranisë së tyre para institucioneve, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si trajtohen rastet e dhunës ndaj grave, duke kërkuar që paralajmërimet e viktimave të merren seriozisht dhe përgjegjësitë të mos mbeten pa u adresuar, transmeton lajmi.net.
Në ditën e dytë të protestës, qytetarët kanë vazhduar të kërkojnë llogaridhënie nga Policia, Prokuroria dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Një nga veprimet që tërhoqi vëmendje ishte vendosja e mbishkrimeve në veturat zyrtare, me pyetjen: “Kush e miratoi planin për mbrojtjen e Arlindës?”.
Protesta e së enjtes vjen pas tubimit të së mërkurës, kur protestuesit marshuan drejt institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, duke kërkuar që rasti i Arlinda Zekajt të mos mbetet pa përgjegjësi. Organizatorët kanë bërë thirrje që mobilizimi të vazhdojë deri në adresimin e kërkesave të tyre.
Përmes syrit të kamerës së Lajmi.net, protesta e 29 tetorit sjell pamje nga mobilizimi qytetar, mesazhet drejtuar institucioneve dhe kërkesën për drejtësi për Arlindën dhe të gjitha gratë e vrara:
