Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë nga rasti i Arlinda Zekaj, përfshirë drejtorin rajonal të Pejës e komandantin e stacionit
Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekaj nga kunati i saj, Albert Sylaj dhe fakteve të publikuara se dhuna, shantazhi dhe kërcënimet për vrasje ndaj tanimë të ndjerës u neglizhuan nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria. Policia njoftoi se bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për…
Lajme
Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekaj nga kunati i saj, Albert Sylaj dhe fakteve të publikuara se dhuna, shantazhi dhe kërcënimet për vrasje ndaj tanimë të ndjerës u neglizhuan nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.
Policia njoftoi se bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, Masat dhe Procedurat Disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar 11 zyrtarë policorë, lidhur me trajtimin e rastit të viktimës Arlinda Zekaj, të ndodhur në Vitomiricë të Pejës, raporton lajmi.net.
“Ndaj zyrtarëve policorë është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës, lidhur me veprimet apo mos veprimet e tyre në rastin në fjalë. Bazuar në rekomandimin e IPK-së, menaxhmenti i PK-së ka suspenduar: U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë, Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë, Komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë, Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë, U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë, Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe 4 (katër) hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë”,thuhet në njoftim.
Siç thuhet nga Policia e Kosovës suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”./Lajmi.net/