SKANDALOZE: Nuk iu sigurohen uniformat, kadetët e Policisë nuk diplomojnë nesër siç ishte e caktuar
Kadetët e rinj të Policisë së Kosovës, tash e gjashtë muaj po përgatiteshin për të veshur uniformën e këtij institucioni. Për gjashtë muaj, këta kadetë mes stresit, emocioneve e sfidave po e prisnin me padurim ditën kur do të munden t’i shërbejnë vendit në ruajtjen e sigurisë. Por, kjo nuk pritet të ndodh nesër siç…
Lajme
Kadetët e rinj të Policisë së Kosovës, tash e gjashtë muaj po përgatiteshin për të veshur uniformën e këtij institucioni.
Për gjashtë muaj, këta kadetë mes stresit, emocioneve e sfidave po e prisnin me padurim ditën kur do të munden t’i shërbejnë vendit në ruajtjen e sigurisë.
Por, kjo nuk pritet të ndodh nesër siç ishte e paraparë.
Siç ka mësuar lajmi.net ceremonia e graduimit që ishte paraparë të mbahej nesër më 30 tetor, nuk do të mbahet.
Arsyeja e mos-mbajtjes së kësaj ceremonie, është sa banale aq edhe e dhimbshme. Institucioni pothuajse më i rëndësishmi për sigurinë në vend, nuk ka arritur t’i siguroj uniformat zyrtarëve të rinj policor.
Mungesa e uniformave do t’ia pezulloj këtyre policëve ushtrimin e profesionit të tyre.
Lajmi.net ka dërguar pyetje tek Policia e Kosovës disa herë radhazi për t’u informuar detajisht në lidhje me këtë ceremoni, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Policët në Kosovë që nga viti 2021 nuk kanë marrë uniforma të reja. Këtë e ka pohuar këtë muaj kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, i cili tha se gjatë kësaj periudhe uniformat janë dhënë vetëm aty ku ka pasur nevojë, por jo në mënyrën që e parasheh rregullorja.
Sipas Hotit, mungesa prek policinë e rendit, ndërsa njësitë speciale nuk e kanë këtë problem: “Policia e Njësive Speciale, vazhdimisht kanë pasur furnizim”, tha ai. Raportohet se uniformat e policëve nuk janë ndërruar prej pesë vitesh, ndërsa një zyrtar policor, emri i të cilit nuk u bë publik, ka thënë se ka tri vjet që punon me të njëjtat uniforma.
Policët në Kosovë përballen edhe me mungesa hapësirash e hapësira të dëmtuara siç është raportuar më parë te VOX Kosova, Kampi “Enver Zymeri”, i njohur si “Belvedere” në Mitrovicë është në gjendje të tmerrshme. /Lajmi.net/