Faruk Muqolli në mesin e 11 zyrtarëve policorë të suspenduar pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj, Albert Sylaj. Në mesin e zyrtarëve të suspenduar është edhe togeri Faruk Muqolli, i cili ishte përmendur në raportimet e fundit lidhur me…

Lajme

29/10/2026 15:55

Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj, Albert Sylaj.

Në mesin e zyrtarëve të suspenduar është edhe togeri Faruk Muqolli, i cili ishte përmendur në raportimet e fundit lidhur me komunikimin e tij me Arlinda Zekajn, disa ditë para vrasjes së saj, raporton lajmi.net

Suspendimet janë bërë bazuar në rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa ndaj zyrtarëve po zhvillohet një hetim paraprak lidhur me veprimet ose mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përveç Muqollit, janë suspenduar ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Sektorit të Operativës, komandanti i Nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.

 

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë nga rasti i Arlinda Zekaj, përfshirë drejtorin rajonal të Pejës e komandantin e stacionit

Rasti ka nxitur reagime pas publikimit të incizimeve të komunikimit mes Arlinda Zekajt dhe togerit Muqolli, ku ajo kërkonte ndihmë nga Policia dhe zbatimin e urdhrit për mbrojtje.

Në një prononcim për RTV Dukagjinin, Muqolli ka refuzuar të flasë për rastin, duke thënë se nuk ka kohë dhe as të drejtë të prononcohet për media.

“E nderuar, dëgjo. Jam shumë i nxënë me punë dhe definitivisht nuk e kam as kohën e as pozicionin për t’u prononcuar për media. Mund të drejtoheni te zyra e mediave. Po të njoftoj se je duke më penguar dhe nuk kam të drejtë të prononcohem unë lidhur me këtë çështje. A mundesh me më kuptu shumë mirë? Nuk kam të drejtë të prononcohem”, ka thënë Muqolli për RTV Dukagjinin.

Hetimi pritet të sqarojë nëse ka pasur shkelje apo neglizhencë nga zyrtarët policorë në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt./Lajmi.net/