KPK flet për suspendimin e Lumturije Vuçetaj dhe koordinatores Nallbani-Gacaferri: Mbetemi të përkushtuar në garantimin e llogaridhënies
Këshilli Prokurorial i Kosovës nën udhëheqjen e Kryesuesit, Arian Gashika mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin shqyrtoi kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe Prokurores së rastit, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje, Arlinda Nallbani-Gacaferri.…
Lajme
Këshilli Prokurorial i Kosovës nën udhëheqjen e Kryesuesit, Arian Gashika mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin shqyrtoi kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe Prokurores së rastit, njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje, Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent (Kryeprokurorit të Shtetit), Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi të themelojë panel hetimor për trajtimin e rastit, si dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy subjekteve të hetimit, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.
“Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference A.Nr. 379/2026, e të paraqitura në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së A. Z”,thuhet në njoftimin për media, transmeton lajmi.net.
Po ashtu në këtë mbledhje Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj.
“KPK mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit të tij ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”./Lajmi.net/


