Zhvillime nga seanca në Kuvendin e Shqipërisë: Opozita bllokon foltoren, mazhoranca miraton projektligjet mes flakadanëve
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka rinisur me tensione, ku deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar të mbajnë të bllokuar foltoren, ndërsa kanë ndezur flakadanë dhe tymuese. Për pasojë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi kalimin në votim të projektligjeve, pa diskutim. “Është shkelje e rëndë e rregullores ajo që po…
Lajme
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka rinisur me tensione, ku deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar të mbajnë të bllokuar foltoren, ndërsa kanë ndezur flakadanë dhe tymuese. Për pasojë, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi kalimin në votim të projektligjeve, pa diskutim.
“Është shkelje e rëndë e rregullores ajo që po bëni, kërkojmë kalimin menjëherë në votim”, tha Balla.
Propozimi për ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim u miratua me 84 vota pro dhe 1 kundër. Pas këtij vendimi, mes tymueseve dhe flakadanëve, mazhoranca vijoi procedurën për miratimin e projektligjeve pa debat parlamentar, mes të cilëve edhe projektligji për Bankën e Shqipërisë.
Po ashtu u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për vitin 2024 si dhe projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë” dhe atë “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
Deputetët socialistë miratuan edhe ndryshimet në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik ose strehim social, si dhe ndryshimet në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Në të njëjtën seancë mori miratimin edhe projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për peshkimin.
Pjesë e vendimmarrjes ishin edhe projektvendimet për strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë personelin që do të angazhohet për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Gjithashtu, u miratuan ndryshimet në strukturën organizative dhe kategorizimin e pozicioneve të punës në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Tensionet u shoqëruan edhe me masa disiplinore ndaj disa deputetëve të opozitës. Xhelal Mziu u përjashtua nga seanca, ndërsa u vendos përjashtimi edhe i deputetëve Himçi, Kaso dhe Nallbati.