“U dorëzua sepse nëna e tij paralajmëroi vetëvrasje”, “jam caktuar nga OAK” – Avokatja e Albert Sylajt paralajmëron se do të marrë të gjitha veprimet ligjore

Gjykata Themelore në Pejë, i ka caktuar dje masën e paraburgimit prej 30 ditësh Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjën e kunatës së tij, Arlinda Zekajt në Pejë. Pas caktimit të paraburgimit, avokatja e tij Katarina Vuksani ka folur për lajmi.net. Ajo ka njoftuar se detyrën për mbrojtjen e tij e ka marrë pasi është…

Lajme

29/10/2026 13:19

Gjykata Themelore në Pejë, i ka caktuar dje masën e paraburgimit prej 30 ditësh Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjën e kunatës së tij, Arlinda Zekajt në Pejë.

Pas caktimit të paraburgimit, avokatja e tij Katarina Vuksani ka folur për lajmi.net.

Ajo ka njoftuar se detyrën për mbrojtjen e tij e ka marrë pasi është caktuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar disa veprime që do t’i marrë.

“Unë jam avokate e caktuar prej Odës së Avokatëve së Kosovës për mbrojtjen e Alber Sylajt. Pas caktimit të masës së paraburgimit, do të marr të gjithë hapat e nevojshëm ligjor sipas kodit të procedurës penale dhe kodit penal”, ka thënë Vuksani.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ajo për lajmi.net nuk ka dhënë detaje shtesë por që ka thënë se do të njoftoheni për rrjedhën e procedurës.

Caktimi i masës së paraburgimit është bërë në seancën dëgjimore që është mbajtur dje, ndërsa ka kërkuar dorëzani për Albert Sylajn.

Mbrojtësja e Sylajt, avokatja Voksani, dje ka thënë se edhe pse është arratisur i mbrojturi i saj, ai me vetëdëshirë është dorëzuar në shtëpinë e tij në Deçan.

“…por se paraprakisht e ka thirrur nënën e tij në telefon duke i kërkuar hallallin e fundit sepse ka qenë në gjendje të bëjë vetëvrasje për një vepër të tillë të cilën e ka kryer, por që nëna si çdo nënë i ka dhënë “në qoftë se dëshiron edhe mua të më shohësh të vdekur, dhe pash gjinin që ta kam japur mos e kryej një akt të tillë por dorëzoju organeve të ligjit, të cilët do ti marrin parasysh të gjitha rrethanat që kanë ndikuar për ndërmarrjen e një veprimi të tillë“, citohet se deklaroi Voksani.

Më tej, thuhet se avokatja deklaroi se me atë rast, së Njësiti Policor ka shkuar në shtëpinë e të pandehurit për ta arrestuar.

Sipas saj, aty ka qenë edhe vëllai tjetër i Sylajt i cili është në liri, e që policët e kanë sulmuar në mënyrë brutale, duke menduar se është tani i dyshuari.

“I njëjti pas një kohe ka dalur me duar të ngritura lartë dhe ka thënë se unë po vetëdorëzohem për hir të nënës time”, tha Voksani.

Andaj, ajo kërkoi që ndaj Albert Sylajt të caktohet masa e dorëzanisë, ngase sipas saj nuk ekziston rreziku i ikjes dhe se sipas saj, ai ka bashkëpunur me policinë gjatë arrestimit.

Si ndodhi rasti?

Albert Sylaj të dielën e 25 korrikut dyshohet se ka vrarë me sopatë në dhomën e fjetjes së Arlinda Zekajt, këtë të fundit.

Sipas Dosjes së Prokurorisë së Pejës, i pandehuri Albert Sylaj më 25 tetor 2026, rreth orës 21:28 në Vitomiricë, nga hakmarrja e paskrupullt e në mënyrë mizore, privon nga jeta anëtarin e familjes- viktimën Arlinda Zekaj, njëherit ish-gruaja e vëllait të tij (Jeton Sylaj).

Prokuroria thekson se pasi viktima është kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku e kishte raportuar dhunën nga ana e ish-bashkëshortit të saj Jeton Sylaj, e me këtë kishte shkel edhe urdhrin e mbrojtjes, i pandehuri Albert Sylaj në shenjë hakmarrjeje për ndalimin e vëllait të tij Jetonit nga ana e policisë, në momentin kur viktima hyri në dhomën e saj të fjetjes, i pandehuri e merr sëpatën dhe hyn në dhomën ku ishte viktima e cila mundohet të fshihet pas derës dhe fillon ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit- kryesisht në kokë, e për pasojë viktima mbetet e vdekur në vend të ngjarjes.

Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku real që i pandehuri, nëse lihet në liri, apo nën ndonjë masë tjetër alternative, do të arratiset. Këto dyshime, Prokuroria i bazon mbi të gjitha rrethanat e rastit, kur dihet se i njëjti menjëherë pas kryerjes vrasjes, është arratisur me veturën e tij, në drejtim të panjohur dhe vetëm pas një pune të gjatë operative, policia ka arritur që ta lokalizojë dhe ta arrestojë.

Po ashtu edhe dënimi që mund t’i shqiptohet në rast se gjendet fajtor për këtë vepër penale, i cili mund të jetë nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, Prokuroria vlerëson se është një indikator i qartë i mund ta nxitë për t’i ikur përgjegjësisë penale.

“Prokuroria por as hetuesia ende nuk ka arritur që ti marr në pyetje dëshmitarët okular të rastit, siç janë: nëna e të pandehurit, vajza e djali i tij, por edhe djali i viktimës, që të gjithë minor, si dhe bashkëshortja dhe vëllai i tij Dritoni, e po ashtu lidhur me rrethanat e rastit të personave që janë në dijeni për rrethanat që kanë sjellë gjer tek ky rast tragjik, siç janë familjarët dhe të afërmit e tjerë të viktimës, por edhe pjesëtarë të policisë së Kosovës që janë marrë me rastet e ndërlidhura”, thuhet në kërkesë.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, i pandehuri ka pranuar se posedon një armë Pistoletë A8 – pa leje, e cila armë ende nuk është siguruar dhe ekziston rreziku i fshehjes së kësaj prove, nëse Sylaj lihet në liri por edhe nën ndonjë masë tjetër alternative.

Prokuroria thekson se vrasja është kryer para syve e prezencës së fëmijëve të tij dhe djalit të viktimës si dhe nënës së tij.

Aty thuhet se, referuar Ekstraktit mbi dënimet Penale, konstatohet se i njëjti është i dënuar me katër aktgjykime të formës së prerë.

Prokuroria vlerësoi se në rrethanat konkrete, asnjë nga masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit nuk do të ishte e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurit, për të parandaluar përsëritjen e veprës dhe për të garantuar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Andaj, prokurorja Sahide Gashi në kërkesë, vlerësoi se janë përmbushur kushtet për caktimin e masës së paraburgimit.

Tri ditë para vrasjes së saj, Arlinda Zekaj i ka dërguar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj duke i kërkuar mbrojtjen e saj pasi sipas Arlindës po i rrezikohej jeta.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, thuhej në letrën e saj.

Në të, ajo kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Arlinda kishte kërkuar gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.

“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, përpara se të shprehte frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.

Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar edhe fjalët:

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!” thuhej në atë letër.

Në një video-incizim të publikuar nga Klan Kosova, një polic në Pejë ka thënë asaj se e ka “lodhur” dhe nuk e ka obligim moral të merret me të.

Arlinda Zekaj kishte kërkuar disa herë ndihmë edhe në Polici të Kosovës për të takuar djalin e saj për të cilin i ka caktuar Gjykata Themelore në Pejë kujdestarinë ndërsa bashkëshortit të saj Jeton Sylajt i ka caktuar që të mos i afrohet më afër se dy metra brenda shtëpisë Arlindës.

Asnjëra nga këto masa nuk kryen punë, Arlinda Zekaj u vra ndërsa bashkëshorti i saj është në paraburgim nën dyshimet se ka shpërfillur vendimin e Gjykatës, e gjithashtu kunati i saj është në paraburgim nën dyshimet për vrasje të rëndë.

Vrasja e saj ka tronditur opinionin publik. Shumë qytetarë kanë protestuar dje në sheshin “Zahir Pajaziti” pastaj para Ministrisë së Drejtësisë, KPK-së e Policisë së Kosovës. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit Suada Hamzës dhe të gjithë atyre që e kanë neglizhuar rastin. /Lajmi.net/