Kadrijaj ngre shqetësimin për qumështoret vendore: Rreth 15 prej tyre rrezikojnë mbylljen

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka ngritur shqetësimin në Kuvend lidhur me gjendjen e prodhuesve vendorë të qumështit dhe trajtimin e produkteve që dyshohet se përmbajnë vaj palme. Kadrijaj ka kritikuar atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë mes prodhuesve vendorë dhe produkteve të importuara, duke kërkuar që të njëjtat…

Lajme

29/10/2026 11:08

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka ngritur shqetësimin në Kuvend lidhur me gjendjen e prodhuesve vendorë të qumështit dhe trajtimin e produkteve që dyshohet se përmbajnë vaj palme.

Kadrijaj ka kritikuar atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë mes prodhuesve vendorë dhe produkteve të importuara, duke kërkuar që të njëjtat standarde të zbatohen për të gjithë.

Ajo ka thënë se, derisa prodhuesit vendorë po përballen me kufizime në përdorimin e vajit të palmës në produktet e qumështit, në tregun e Kosovës vazhdojnë të shiten produkte të importuara për të cilat ka dyshime se përmbajnë këtë përbërës.

“Nuk mund të ketë një standard për qumështoret e Kosovës dhe tjetër për produktet që vijnë nga jashtë”, ka deklaruar Kadrijaj.

Sipas saj, shqetësimet e ngritura nga sektori privat tregojnë se rreth 15 qumështore vendore janë në rrezik serioz, ndërsa qumështorja “Vita” ka paralajmëruar pasoja të rënda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbesin pa punë.

Deputetja ka theksuar se pasojat e mundshme të mbylljes së qumështoreve do të preknin jo vetëm punëtorët, por edhe fermerët vendorë që varen nga shitja e qumështit të tyre.

“Pas çdo qumështoreje janë fermerët që prodhojnë qumësht, punëtorët që sigurojnë qumësht dhe investimet që janë ndërtuar me vite. Nëse mbyllen qumështoret, kush e blen qumështin e fermerëve tanë, kush do t’i punësojë punëtorët tanë dhe kush do t’i paguajë faturat ekonomike të kësaj gjendjeje?”, ka pyetur Kadrijaj.

Ajo ka kërkuar që para Kuvendit të sqarohet nëse produktet e importuara me përbërje të njëjtë trajtohen sipas të njëjtave rregulla si produktet vendore, duke kërkuar që çdo dallim në trajtim të arsyetohet me fakte dhe bazë ligjore.

Në fund, Kadrijaj ka bërë thirrje për marrjen e masave në mbrojtje të prodhuesve vendorë dhe fermerëve, si dhe për garantimin e sigurisë ushqimore për qytetarët e Kosovës. /Lajmi.net/