Hoxha kërkon strategji shtetërore për ta dokumentuar luftën e Kosovës pas aktgjykimit në Hagë
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se pas aktgjykimit të parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, Kosova ka nevojë për një strategji shtetërore të diplomacisë kulturore dhe publike, përmes së cilës do të prezantohej historia e luftës së Kosovës. Hoxha ka theksuar se kjo strategji duhet ta shpjegojë luftën çlirimtare, ta mbrojë dinjitetin…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se pas aktgjykimit të parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, Kosova ka nevojë për një strategji shtetërore të diplomacisë kulturore dhe publike, përmes së cilës do të prezantohej historia e luftës së Kosovës.
Hoxha ka theksuar se kjo strategji duhet ta shpjegojë luftën çlirimtare, ta mbrojë dinjitetin e luftës për liri dhe, njëkohësisht, të respektojë drejtësinë, të drejtat e viktimave dhe procesin gjyqësor.
Sipas saj, Kosova duhet të veprojë në dy drejtime. E para është mbështetja e planit juridik përmes përkrahjes politike dhe financiare, ndërsa e dyta lidhet me diplomacinë kulturore dhe publike.
Në këtë kontekst, Hoxha i është referuar Deklaratës së 28 shtatorit, nga e cila ka dalë grupi punues ndërpartiak, që tashmë ka nisur punën për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat e apelimit në Dhomat e Specializuara.
Ajo ka vlerësuar se krahas angazhimit juridik, është e rëndësishme që Kosova të dokumentojë dhe prezantojë historinë e luftës, kontekstin e represionit serb, karakterin çlirimtar të UÇK-së dhe rrugën drejt lirisë e pavarësisë.
Përmes kësaj strategjie, sipas Hoxhës, Kosova duhet ta shpjegojë historinë e saj në arenën ndërkombëtare, duke e ndarë angazhimin për mbrojtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare nga respektimi i drejtësisë dhe i procesit gjyqësor. /Lajmi.net/