Reshitaj: Çfarë sigurie mund të ndiejë një grua kur kërkon ndihmë dhe i thuhet se askush nuk është i obliguar të merret me të?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e grave në Kosovë, duke folur në Kuvend për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe raportimet për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar kërkesat e saj për ndihmë. “Vrasja e Arlindës na ka tronditur, por ajo që po dëgjojmë këto ditë e…

Lajme

29/10/2026 10:53

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e grave në Kosovë, duke folur në Kuvend për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe raportimet për mënyrën se si institucionet kanë trajtuar kërkesat e saj për ndihmë.

“Vrasja e Arlindës na ka tronditur, por ajo që po dëgjojmë këto ditë e bën edhe më të rëndë, edhe më të trisht. Po publikohen audio-incizime ku Arlinda dëgjohet duke iu lutur për ndihmë zyrtarëve policorë, ndërsa njëri prej tyre përgjigjet ‘nuk jam i obliguar me u marrë me ty’”, ka thënë Reshitaj.

Ajo ka përmendur edhe raportimet se, tri ditë para vrasjes, zyrtarët policorë ishin vonuar 70 minuta për të shkuar te Arlinda, pasi nuk kishin pasur veturë zyrtare në dispozicion.

“Unë pyes sot se çfarë sigurie mund të ndiejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se ‘askush nuk është i obliguar të merret me të’”, ka deklaruar deputetja.

Reshitaj ka ngritur gjithashtu shqetësimin për numrin e grave të vrara në Kosovë dhe ka vënë në pikëpyetje efektivitetin e masave institucionale për mbrojtjen e tyre.

“Vetëm në 10 muajt e fundit i kemi 8 vrasje. A po arrijnë institucionet tona t’i mbrojnë qytetarët kur ata kanë më së shumti nevojë?”, ka pyetur ajo.

Duke iu referuar masave të reja për mbrojtjen e grave që po paralajmërohen nga Qeveria, Reshitaj ka kërkuar përgjigje për përgjegjësinë institucionale në rastet e mëparshme.

“Sot Qeveria po paralajmëron masa të reja për mbrojtjen e grave. Mirëpo, si prisni që qytetarët t’ju besojnë se këto masa do të zbatohen vërtet, kur ende nuk kemi përgjigje të qarta për përgjegjësinë institucionale të rasteve të mëparshme?”, ka thënë Reshitaj. /Lajmi.net/