​Dita e 17-të e protestës, Edi Rama sërish i fton protestuesit në dialog

Edhe mëngjesin e së enjtes, kryeministri Edi Rama e nisi para kryeministrisë duke vendosur ftesa për dialog për protestuesit në tryezën e betonit. Ky mesazh i Ramës vjen në ditën e 17-të të protestës së studentëve, të cilët këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Edhe gjatë ditës së djeshme, protestuesit u mblodhën në…

Lajme

29/10/2026 08:43

Edhe mëngjesin e së enjtes, kryeministri Edi Rama e nisi para kryeministrisë duke vendosur ftesa për dialog për protestuesit në tryezën e betonit.

Ky mesazh i Ramës vjen në ditën e 17-të të protestës së studentëve, të cilët këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Edhe gjatë ditës së djeshme, protestuesit u mblodhën në mënyrë paqësore pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë. Megjithatë, ditët e para të protestave u shoqëruan me tensione, përplasje mes studentëve dhe policisë, si dhe dëmtime të godinave shtetërore dhe bizneseve private. Në kuadër të këtyre ngjarjeve, qindra persona janë shoqëruar në komisariate, ndërsa disa të tjerë janë arrestuar me vendim gjykate.

Ndërkohë, qeveria ka prezantuar një paketë me gjashtë masa që synojnë trajtimin e pasojave të akteve të dhunshme gjatë protestave. Masat parashikojnë kompensimin e bizneseve të dëmtuara, vendosjen e përgjegjësisë financiare mbi personat që shkaktojnë dëme, si dhe ndryshime në legjislacionin për tubimet dhe në Kodin Penal.

Sipas propozimeve, gjobat mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë për personat që vijojnë të qëndrojnë në tubime ku ushtrohet dhunë, edhe pasi policia ka dhënë paralajmërimet përkatëse. Parashikohen gjithashtu masa ndëshkuese për ata që nuk zbatojnë urdhrat e autoriteteve policore.

Një tjetër element i paketës është ngritja e një regjistri elektronik për personat e referuar ose të hetuar për vepra penale që lidhen me shtetin, rendin dhe sigurinë publike. Ndryshimet e propozuara përfshijnë gjithashtu kufizime për organizimin e tubimeve pranë institucioneve të rëndësishme, masa kundër nxitjes së dhunës në rrjetet sociale dhe ndëshkime për personat që fshehin identitetin gjatë protestave të dhunshme.