Sot seancë në Kuvend, Byroja e Konfiskimit dhe buxheti për vitin 2026 në rend dite
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, ku pritet të shqyrtohen në lexim të dytë ndryshimet buxhetore për vitin 2026 dhe Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit, seanca do të nisë në orën 10:00. Në rendin e ditës…
Lajme
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, ku pritet të shqyrtohen në lexim të dytë ndryshimet buxhetore për vitin 2026 dhe Projektligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit, seanca do të nisë në orën 10:00.
Në rendin e ditës është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Deputetët pritet të shqyrtojnë në lexim të dytë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.
Seanca e sotme do të nisë me miratimin e procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme, ndërsa më pas janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Shqyrtimi i dy projektligjeve dhe votimi i propozimit të Listës Serbe janë ndër çështjet kryesore që pritet të trajtohen gjatë seancës së sotme.