Hoxhaj: Mbështetja për krerët e UÇK-së është përgjegjësi shtetërore
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Grupin Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në mbledhjen konstituive të këtij grupi. Pas përfundimit të takimit, Hoxhaj ka theksuar se mbështetja për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk është…
Lajme
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Grupin Punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në mbledhjen konstituive të këtij grupi.
Pas përfundimit të takimit, Hoxhaj ka theksuar se mbështetja për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk është vetëm çështje politike, por përgjegjësi shtetërore dhe detyrim ndaj historisë së vendit, transmeton lajmi.net.
Ai ka bërë të ditur se, në cilësinë e përfaqësuesit të PDK-së, do të angazhohet që kjo mbështetje të konkretizohet përmes veprimeve institucionale gjatë procesit të apelit.
“Si përfaqësues i Grupit Parlamentar të PDK-së në këtë Grup Punues, do të angazhohem që ky detyrim të përkthehet në veprime konkrete dhe mbështetje të plotë në procesin e apelit”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai gjithashtu ka apeluar për unitet, duke vlerësuar se e vërteta për luftën çlirimtare dhe dinjiteti i atyre që udhëhoqën atë kërkojnë një qëndrim të përbashkët.
Mbledhja konstituive e Grupit Punues shënon fillimin e punës për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore, e cila lidhet me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë./lajmi.net/