Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal për dorëheqje, pavarësisht kërkesave të shumta për largimin e saj nga detyra pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Derisa thirrjet për përgjegjësi institucionale po vazhdojnë, Gërvalla nuk është deklaruar sërish lidhur me kërkesat për dorëheqje, por ka vazhduar aktivitetin në rrjetet sociale, duke trajtuar çështje të tjera nga fusha e drejtësisë, transmeton lajmi.net.
Në një postim të publikuar sot në Facebook, ministrja ka shkruar për çështjen e transferimit të personave të dënuar, duke e cilësuar atë si një proces që kërkon bashkëpunim juridik ndërmjet shteteve.
“Çështja e transferimit të personave të dënuar është shumëdimensionale dhe prandaj rregullohet përmes marrëveshjes mes dy shteteve tona, gjë që e përmbyll pakon e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me këtë shtet mik të Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Ndërkohë, ministrja është përballur me kritika pas deklarimit të saj në Kuvendin e Kosovës lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, ku foli për përgjegjësinë institucionale dhe mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës.
“Vërtetë nuk është sot dita për debatin tonë politik. Ju dëgjova me vëmendje, pashë shumë mosdije dhe shumë mungesë informacioni rreth asaj se çfarë vërtetë ka ndodhur. Protokolet kanë ndryshuar qasjen instutucionale. Vërtetë numrat e vrasjeve sivjet janë alarmant por hajt ta analizojmë… sepse të njejtat ligje kanë qenë në vitin 2025 që kishte vetëm një vrasje. Vrasja e partnerit është fenomen ndërkombëtar. Ne e marim shumë seriozisht secilin rast që ndodh në vendin tonë dhe kjo është shumë mirë. Arlinda i është drejtuar drejtësisë dhe nuk e ka marr mbrojtjen e kërkuar. Fatkeqësisht, Arlinda nuk i është drejtuar Qeverisë. Ndoshta po t`i ishte drejtuar Qeverisë, ndoshta do të kishte pasur angazhim, duke respektuar natyrisht rendin kushtetuese të vendit tonë”, ka deklaruar Gërvalla në Kuvend.
Deklarata e saj ka nxitur reagime në opinionin publik, veçanërisht për pjesën ku ministrja tha se Arlinda Zekaj nuk i ishte drejtuar Qeverisë.
Dorëheqja e Gërvallës kërkohet edhe në protesta
Kërkesat për largimin e ministres nga detyra janë artikuluar edhe në protestën e mbajtur sot, ku morën pjesë mijëra qytetarë.
Protestuesit kërkuan përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vënë në pikëpyetje reagimin e institucioneve dhe efektivitetin e mekanizmave për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Deri më tani, Gërvalla nuk ka bërë të ditur nëse do të japë dorëheqje, ndërsa kërkesat për përgjegjësi politike ndaj saj vazhdojnë./lajmi.net/