Me sëpata në duar, fotografitë e zyrtareve shfaqen në protestën për Arlinda Zekajn
Protesta për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka nisur në Prishtinë, ku gratë janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet. Në mesin e veprimeve që kanë tërhequr vëmendje në protestë janë fotografitë e vendosura të disa zyrtareve dhe përfaqësuesve institucionalë, ku secila prej…
Lajme
Protesta për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka nisur në Prishtinë, ku gratë janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet.
Në mesin e veprimeve që kanë tërhequr vëmendje në protestë janë fotografitë e vendosura të disa zyrtareve dhe përfaqësuesve institucionalë, ku secila prej tyre paraqitet me një sopatë në dorë, duke iu referuar mënyrës se si u vra Arlinda Zekaj.
Në fotografitë e siguruara nga lajmi.net shihen, mes të tjerash, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Suda Hamza, kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz.

Pranë fotografive është vendosur edhe mbishkrimi “Gjumi s’ka me iu nxënë”, një mesazh që i drejtohet edhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, në kuadër të thirrjeve për përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Zekajt.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka bërë thirrje për revoltë kombëtare, duke kritikuar institucionet për atë që e konsideron neglizhencë në mbrojtjen e grave nga dhuna.
Tubimi ka nisur në orën 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërsa sipas thirrjes së organizatorëve, protestueset pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Kolektivi ka deklaruar se vrasja e Arlinda Zekajt ishte paralajmëruar nga vetë viktima, e cila kishte kërkuar ndihmë nga institucionet. Organizata kërkon që institucionet të mbajnë përgjegjësi dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të garantuar sigurinë e grave në Kosovë. /Lajmi.net/