Vrasja e Arlindës, protestohet para Gjykatës në Pejë, pak para fillimit të seancës ndaj ish-bashkëshortit të së ndjerës
Vrasja e Arlinda Zekajt ka tronditur gjithë Kosovën. Institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë nuk arritën të mbrojnë atë, përkundër që ajo disa i kishte paralajmëruar se jeta e saj është në rrezik, transmeton lajmi.net. Dhjetëra qytetarë janë duke protestuar para Gjykatës në Pejë, një nga institucionet përgjegjëse për rastin e Arlindës. Protesta po…
Lajme
Vrasja e Arlinda Zekajt ka tronditur gjithë Kosovën.
Institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë nuk arritën të mbrojnë atë, përkundër që ajo disa i kishte paralajmëruar se jeta e saj është në rrezik, transmeton lajmi.net.

Dhjetëra qytetarë janë duke protestuar para Gjykatës në Pejë, një nga institucionet përgjegjëse për rastin e Arlindës. Protesta po zhvillohet pak para nisjes së seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila pritet të mbahet sot në orën 14:00.
Duke e mbajtur fotografinë e Arlindës, ata kërkuan përgjegjësi nga institucionet mbi rastin tragjik.
Zekaj ishte ankuar për kërcënime dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet para se të vritej më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas raportimeve, ndodhet ende në arrati.
Tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, ajo i kishte drejtuar një letër Prokurorisë në Pejë, ku kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar ndërhyrje urgjente.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo në letër.
Sipas Prokurorisë, ndaj ish-bashkëshortit të saj ishte ngritur aktakuzë për kanosje më 23 tetor. Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se ka iniciuar hetime lidhur me pretendimet e Zekajt për veprime apo mosveprime të mundshme të zyrtarëve.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë për hetimin parlamentar të rastit dhe për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Për të mërkurën, më 28 tetor, është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ora 16:00, me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”./lajmi.net/