Një person humb jetën në vendin e punës në Istog, përgjegjësi i punëtorëve ndalohet për 48 orë

Një person ka humbur jetën paraditen e së martës në fshatin Dubravë të Istogut, pasi është lënduar në një objekt ku po punonte. Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova. “Sot, rreth orës 08:40, Policia është njoftuar për një rast në fshatin Dubravë, në komunën e Istogut,…

Lajme

27/10/2026 15:00

Një person ka humbur jetën paraditen e së martës në fshatin Dubravë të Istogut, pasi është lënduar në një objekt ku po punonte.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Sot, rreth orës 08:40, Policia është njoftuar për një rast në fshatin Dubravë, në komunën e Istogut, ku një person është lënduar në një objekt”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Sipas Policisë, viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, ku ekipi mjekësor ka konstatuar se kishte arritur pa shenja jete.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për obduksion”, thuhet më tej në përgjigjen e Policisë.

Ndërkohë, Policia ka intervistuar përgjegjësin e punëtorëve, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Asgjësimi, Dëmtimi ose Heqja e Pajisjeve Mbrojtëse dhe Rrezikimi i Sigurisë në Vendin e Punës”. /Lajmi.net/