LVV pas vr*sjes së Arlinda Zekajt: Nuk mund të dorëzohemi para vr*sësve dhe kulturës që i arsyeton

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar që dhuna dhe kultura e pandëshkueshmërisë të mos pranohen si norma shoqërore. Në reagimin e publikuar në Facebook më 26 tetor, LVV-ja i ka shprehur ngushëllime familjes së Arlindës, duke theksuar se nga kjo ngjarje një djalë 12-vjeçar ka mbetur…

Lajme

26/10/2026 22:25

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar që dhuna dhe kultura e pandëshkueshmërisë të mos pranohen si norma shoqërore.

Në reagimin e publikuar në Facebook më 26 tetor, LVV-ja i ka shprehur ngushëllime familjes së Arlindës, duke theksuar se nga kjo ngjarje një djalë 12-vjeçar ka mbetur pa nënë.

“Vrasja e Arlinda Zekës na ka tronditur dhe zemëruar. Familjes së saj i shprehim ngushëllimet tona më të thella. Një tjetër gruaje iu mor jeta nga dhuna e një burri, familjar i burrit të saj. Një tjetër familje mbeti me dhimbjen e një humbjeje të pakthyeshme. Dhe një djalë 12-vjeçar mbeti pa nënë”, thuhet në reagim.

LVV-ja ka bërë të ditur se, sipas rasteve të raportuara publikisht, që nga fillimi i këtij viti në Kosovë janë regjistruar 17 viktima të vrasjeve, prej tyre tetë gra dhe nëntë burra.

Sipas kësaj partie, vrasjet e grave kanë një dimension të veçantë shoqëror, të lidhur me pushtetin patriarkal, kontrollin mbi gratë dhe mohimin e lirisë së tyre. Ndërkaq, vrasjet e burrave dhe djemve, sipas reagimit, lidhen edhe me kulturën e forcës, hakmarrjes dhe zgjidhjes së konflikteve përmes armëve.

LVV-ja ka kritikuar gjithashtu kulturën e pandëshkueshmërisë dhe ka theksuar se institucionet duhet të veprojnë për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave, hetimin e rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

“Institucionet si komunat, qendrat e punës sociale, policia e prokuroria e gjykata duhet të parandalojnë, të mbrojnë, të hetojnë dhe të ndëshkojnë”, thuhet në reagim.

Në fund, LVV-ja ka theksuar se kërcënimet e shpërfillura mund të përfundojnë në tragjedi, duke kundërshtuar normalizimin e dhunës në shoqëri.

“Nuk pranojmë që frika të bëhet mënyrë jetese, as që dhuna të trashëgohet si normë shoqërore. Nuk mund të dorëzohemi para vrasësve, as para kulturës që i arsyeton dhe i mbron ata”, përfundon reagimi i publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje. /Lajmi.net/