IPK nis hetimet për rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj në Polici, do të verifikohen edhe lëshimet e mundshme të zyrtarëve
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës. Përmes një komunikate për media, IPK ka bërë të ditur se veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së…
Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i trajtoi rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.
Përmes një komunikate për media, IPK ka bërë të ditur se veprimet po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të verifikimit të plotë të procedurave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë në trajtimin e raportimeve të viktimës.
Në kuadër të këtij procesi, do të shqyrtohet mënyra se si janë pranuar, evidentuar, vlerësuar dhe trajtuar raportimet e Arlinda Zekajt, si dhe nëse zyrtarët përgjegjës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
IPK ka theksuar se do të vlerësojë nëse veprimet policore kanë qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, si dhe do të shqyrtojë përgjegjësitë e mundshme individuale dhe institucionale, në rast se konstatohen shkelje apo lëshime.
“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale, nëse konstatohen shkelje apo lëshime gjatë trajtimit të rasteve të raportuara”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Inspektorati ka bërë të ditur se do ta trajtojë çështjen në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të gjithanshme, në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë.
Nisja e këtyre veprimeve vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ndërsa verifikimi synon të sqarojë nëse raportimet e saj janë trajtuar në përputhje me detyrimet ligjore të Policisë së Kosovës. /Lajmi.net/