Prokuroria e Pejës tregon çfarë ndodhi para vrasjes së Arlindës: Ajo kërkoi të kthehej në shtëpi, prokurori vlerësoi se ishte në rrezik
Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, duke bërë të ditur se kishte nisur edhe hetimet për pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme. Në një komunikatë për media, Prokuroria ka njoftuar se më 22 tetor, Kryeprokurorja kishte pranuar…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, duke bërë të ditur se kishte nisur edhe hetimet për pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme.
Në një komunikatë për media, Prokuroria ka njoftuar se më 22 tetor, Kryeprokurorja kishte pranuar një kërkesë nga Arlinda Zekaj, përmes së cilës ajo kishte paraqitur shqetësimet e saj për trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e një urdhri gjyqësor.
Sipas Prokurorisë, pas pranimit të kërkesës, Kryeprokurorja ua kishte adresuar çështjen institucioneve përkatëse, përfshirë Policinë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Po ashtu, ishte iniciuar një rast për të hetuar nëse në veprimet ose mosveprimet e personave zyrtarë të përmendur në kërkesë kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria ka bërë të ditur se më 16 tetor, Gjykata kishte nxjerrë një vendim që ish-bashkëshorti i Arlindës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Gjithashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore.
Sipas komunikatës, kur Arlinda kishte kërkuar zbatimin e vendimit dhe kthimin në shtëpi, Policia e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.
Pas vlerësimit të situatës dhe rrezikut të mundshëm, prokurori kishte konsideruar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të rrezikonte jetën dhe sigurinë e saj. Për këtë arsye, ai kishte kontaktuar vëllezërit e Arlindës dhe kishte udhëzuar që ajo të shkonte te familjarët.
Megjithatë, Arlinda kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga Policia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët. Sipas Prokurorisë, pas vlerësimit të nivelit të rrezikut, ishte vendosur që një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë gjatë kthimit të saj.
Prokuroria ka njoftuar gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Arlindës për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Çfarë ndodhi ditën e rastit?
Sipas Prokurorisë, më 25 tetor, në orën 19:48, Policia e kishte kontaktuar prokurorin kujdestar lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje. Në stacionin policor ishin shoqëruar Arlinda dhe ish-bashkëshorti i saj, ndërsa ndaj këtij të fundit ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës dhe ai ishte ndaluar për 48 orë.
Gjatë trajtimit të rastit, Arlindës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.
Ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Arlinda ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar për rastin.
Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse policore, Kryeprokurorja dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda.
Në përfundim të komunikatës, Prokuroria ka shprehur ngushëllime për familjen e Arlindës dhe ka theksuar rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale.
Ndërkohë, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili ende nuk është arrestuar. /Lajmi.net/