Deliu-Kodra: Më vjen marre nga ky fjalim në Kuvend, dikush duhet të dorëhiqet
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar sot dorëheqje dhe përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Ajo në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka kritikuar mungesën e veprimeve konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave, duke theksuar se deklaratat dhe dënimet publike nuk janë të mjaftueshme. “Përtej…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar sot dorëheqje dhe përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Ajo në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka kritikuar mungesën e veprimeve konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave, duke theksuar se deklaratat dhe dënimet publike nuk janë të mjaftueshme.
“Përtej deklaratave të një zonjës në krye të një strategjie e cila do të duhej ta luftonte edhe femicidin dhe dhunën e rastet të cilat i përsëritim e i numërojmë këtu, mendoj se duhet të jemi më të përgjegjshëm. Nëse një zonjë nuk jeton më, dhe ka kërkuar përgjegjësi prej shtetit, a mjaftojnë një minutë heshtjeje, këto deklarime prej nesh këtu që duhet ta dënojmë dhunën, a është ky një normalizim që po ndodh në Kosovë. A e dini çka i bie kjo? Operacioni u krye me sukses, pacienti vdiq. 95 raste të grave u lexuan nga e para e kuvendit, vdekjet të cilat kanë përcjellë shoqërinë kosovare, nga vrasës të cilit nuk janë dekurajuar nga fjalimet tona. Nuk janë ndjerë të kërcënuar prej fjalimeve në këtë kuvend, a ka shtet këtu? A ka Kosova institucione apo ne ende duhet të thirremi në procedura, në ligje? Ka ligje të cilat nuk po zbatohen, me mijëra herë kemi folur për dështimin e atyre që janë thirrur për ta respektuar në legjislacionin ën fuqi”, tha Deliu Kodra.
Deputetja e PDK-së iu drejtua edhe përfaqësuesve të qeverisë, duke kërkuar që të mos pritet një rast tjetër i vrasjes për të diskutuar sërish në Kuvend. Ajo theksoi se dikush duhet të marrë përgjegjësi për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e Zekajt.
“Sot, ju pyes juve përfaqësues së qeverisë, a do ta bëjmë gjumin e qetë deri në vrasjen tjetër apo do të dalim pas një vrasje tjetër në seanca plenare e pastaj të themi se kemi kryer detyrën tonë? Mjaft, është! Mua më vjen marre nga fjalimi im në Kuvend. Dikush duhet të dorëhiqet, të jep përgjegjësi. Ministre, e keni përgjegjësinë! Një grua e ka lënë fëmijën e saj jetim, shteti ka dështuar ta mbrojë”, tha Deliu-Kodra.