Haxhiu për vrasjen e Arlinda Zekajt: Kush mban përgjegjësi për dështimin e institucioneve?
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar llogari për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës. Gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Haxhiu ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. “Cila…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar llogari për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës.
Gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Haxhiu ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Cila është përgjegjësia që ka ministrja e Drejtësisë këtu ose ministri i Punëve të Brendshme?”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar gjithashtu nevojën që mangësitë institucionale të adresohen dhe përgjegjësitë të mos mbeten pa u trajtuar.
“Prandaj, është vendi ku ne duhet të flasim me zë të lartë”, ka thënë Haxhiu.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës. Tri ditë para vrasjes, ajo i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Në letrën drejtuar prokurorisë, Zekaj kishte kërkuar masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë te njëri-tjetri dhe duke lejuar kështu që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë”, thuhej në letër.
Ajo kishte kërkuar edhe zbatimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Zekaj. /Lajmi.net/