Matoshi përmend Sami Lushtakun në Kuvend: Më krahasoi me dikë që del prej një shtëpie publike
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka përmendur kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë. Në fjalën e saj, Matoshi iu referua një deklarate të mëparshme të Lushtakut ndaj saj, duke kritikuar gjuhën e përdorur ndaj grave që…
Lajme
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka përmendur kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Në fjalën e saj, Matoshi iu referua një deklarate të mëparshme të Lushtakut ndaj saj, duke kritikuar gjuhën e përdorur ndaj grave që shprehin publikisht qëndrimet dhe kritikat e tyre, raporton KosovaPress.
Ajo theksoi se deklaratat e tilla, kur vijnë nga persona që mbajnë poste publike, kanë ndikim përtej individit ndaj të cilit drejtohen.
“Sami Lushtaku më krahasoi me dikë që del prej një shtëpie publike. E tha pasi ishte pyetur për kritikat e mia ndaj tij. Kështu zgjodhi t’i përgjigjet një gruaje që kundërshtonte publikisht. Kur një kryetar komune e përdor këtë gjuhë, pesha e saj shkon përtej gruas që ai fyen. E dëgjon edhe vajza që po mendon të angazhohet në politikë, gazetarja që po përgatitet të bëjë një pyetje të vështirë, gruaja që dëshiron të denoncojë një padrejtësi. Secila e kupton kërcënimin që bart ai poshtërim. Nëse na kundërshton, do të merremi me jetën dhe dinjitetin tënd”, tha ajo.
Deputetes së LVV-së i reagoi shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili i kërkoi asaj të mos moralizojë.
“Nuk duhet deputetja paraprake të moralizojë e të tentojë të krijojë situata ku nxitet problemi, pse ndodh problemi dhe të bëjë betejë politike. Se gjashtë vjet kryeministër i Kosovës është dhe e udhëheq këtë vend. Nuk e dija a është duke folur një deputet i opozitës apo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, tha Tahiri.