Departamenti amerikan i Shtetit thotë se pret vazhdimin e partneritetit me udhëheqjen e re në Serbi
Departamenti amerikan i Shtetit e ka përshëndetur pjesëmarrjen e qytetarëve të Serbisë në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke thënë se pret vazhdimin dhe thellimin e partneritetit me udhëheqjen e re. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është në dijeni të rezultateve preliminare, përfshirë…
Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit e ka përshëndetur pjesëmarrjen e qytetarëve të Serbisë në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke thënë se pret vazhdimin dhe thellimin e partneritetit me udhëheqjen e re.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është në dijeni të rezultateve preliminare, përfshirë edhe faktit se ish-udhëheqësi Aleksandar Vuçiq e ka pranuar humbjen në zgjedhje.
“Presim vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të partneritetit tonë me anëtarët e sapozgjedhur të Kuvendit Popullor të Serbisë dhe me qytetarët e Serbisë, duke u mbështetur në vrullin e krijuar gjatë vitit të kaluar, përfshirë nisjen e Dialogut Strategjik”, thuhet në deklaratë.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të mbajtura më 25 tetor, Lista Studentore i ka fituar 52.54 për qind të votave, ndërsa Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, i fitoi 39,29 për qind të votave.
Pas 14 vjetësh në pushtet, Vuçiqi e ka pranuar humbjen dhe e ka uruar Listën Studentore për triumfin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Serbia e nisën Dialogun Strategjik në mesin e korrikut, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit.
Në atë kohë, në kuadër të Dialogut Strategjik, të dyja vendet nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale të energjisë.
Takimin mes zyrtarëve amerikanë dhe serbë e hapi më 17 korrik sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. /REL