18 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit, IKSHPK e rikujton se vaksinimi është masa e kryesore për parandalimin e tij
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar se po vazhdon të regjistrohen raste me fruth në vend, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 25 tetor 2026 janë konfirmuar gjithsej 242 raste…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar se po vazhdon të regjistrohen raste me fruth në vend, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 25 tetor 2026 janë konfirmuar gjithsej 242 raste me fruth, prej të cilave 18 janë regjistruar gjatë javës së fundit. Mbi 95% e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, që mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
IKShPK ka thënë se këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vaksinimit si masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
“Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen. Krahas vaksinimit të rregullt sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara”, thuhet në njoftim.
Ata kanë thënë se gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 4 mijë e 6 fëmijë të grupmoshës 2 deri në 5 vjeç.
“Ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së angazhimit të prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve. IKShPK u bën thirrje të gjithë prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur për shkak të vaksinimit të vonuar ose të papërfunduar. Vetëm përmes bashkëpunimit të prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve mund të rritet mbrojtja e fëmijëve dhe të ndërpritet përhapja e fruthit. Vaksinimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët. Mbrojtja e çdo fëmije fillon me vaksinimin në kohë. Vaksinimi i rregullt + vaksinimi plotësues = fëmijë të mbrojtur!”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: