Një vit pas rrahjes së të miturës në Gjilan, familja lë pas Kosovën dhe jetën e ndërtuar

Një vit pas rastit të rrahjes së një të miture nga bashkëmoshataret e saj në Gjilan, pasojat vazhdojnë të rëndojnë mbi familjen e saj, e cila është larguar nga Kosova, duke pretenduar se institucionet nuk i ofruan mbështetjen e nevojshme. Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2025, ndërsa babai i vajzës, Arben Krasniqi, në një…

Lajme

26/10/2026 16:49

Një vit pas rastit të rrahjes së një të miture nga bashkëmoshataret e saj në Gjilan, pasojat vazhdojnë të rëndojnë mbi familjen e saj, e cila është larguar nga Kosova, duke pretenduar se institucionet nuk i ofruan mbështetjen e nevojshme.

Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2025, ndërsa babai i vajzës, Arben Krasniqi, në një deklarim për lajmi.net kishte rrëfyer për pasojat që rasti la te familja e tij.

Krasniqi kishte thënë se përvoja e rëndë e së bijës dhe mungesa e mbështetjes institucionale e kishin shtyrë familjen të largohej nga vendi, duke lënë pas punën, shkollimin dhe jetën që kishin ndërtuar në Gjilan.

“Jemi detyru pas 50 viteve unë dhe familja ime, unë kam pas karrierë në Gjilan edhe si punëtor i arsimit edhe si muzikantë, jam detyru me lënë Kosovën. Gruaja ime ka qenë farmaciste, magjistër, e ka lënë punën dhe profesionin, djali im ka braktisë studimet, vajza ime e ka lënë shkollën. Traumat dhe lëndimet janë të pashërueshme dhe të përjetshme”, kishte deklaruar Krasniqi për Lajmi.net.

Ai kishte kritikuar institucionet komunale dhe qendrore, duke pretenduar se nuk kishin ndërmarrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e vajzës dhe për t’i ofruar asaj trajtimin e nevojshëm pas rastit.

Sipas tij, situata ishte rënduar edhe me fillimin e vitit të ri shkollor, kur vajza duhej të përballej me praninë e bashkëmoshatareve që e kishin rrahur.

Krasniqi kishte shprehur pakënaqësi edhe për trajtimin nga Qendra për Punë Sociale, duke pretenduar se familja ishte detyruar t’i mbulonte vetë shpenzimet për vizitat mjekësore dhe shërbimet e tjera.

Ndërkohë, lidhur me rastin, shkolla kishte deklaruar se psikologia kishte bashkëpunuar me akterët përkatës dhe kishte zhvilluar aktivitete mbështetëse me nxënësit. Sipas drejtorit të shkollës, Liridon Salihu, me kërkesë të prindërve, njëra nga nxënëset ishte transferuar në një institucion tjetër arsimor.

Sa i përket procedurës gjyqësore, Gjykata Themelore në Gjilan fillimisht kishte shqiptuar masa edukative institucionale ndaj tri të miturave të përfshira në rast. Pas kthimit të çështjes në rivendosje nga Gjykata e Apelit, masat ishin zbutur në mbikëqyrje të shtuar nga prindërit.

Rasti rikthen në vëmendje rëndësinë e mbështetjes psikologjike dhe institucionale për fëmijët që përjetojnë rrahje, si dhe nevojën që mbrojtja e tyre të vazhdojë edhe pas përfundimit të ngjarjes. /Lajmi.net/