Bajrami: 359 milionë euro për kontrata njëburimore, kërkon hetim për dallimet në çmimin e peletit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar lidhjen e kontratave njëburimore nga organizatat buxhetore në Kosovë, duke kërkuar hetim për këto kontrata dhe për dallimet në çmimet e produkteve të blera nga institucionet publike. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka bërë të ditur se, sipas të dhënave zyrtare që ajo…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar lidhjen e kontratave njëburimore nga organizatat buxhetore në Kosovë, duke kërkuar hetim për këto kontrata dhe për dallimet në çmimet e produkteve të blera nga institucionet publike.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka bërë të ditur se, sipas të dhënave zyrtare që ajo ka publikuar, nga marsi i vitit 2021 deri në mesin e tetorit të vitit 2026 janë lidhur gjithsej 2 mijë e 913 kontrata njëburimore, me vlerë prej 359 milionë eurosh.
Prej tyre, 1 mijë e 706 janë kontrata të lidhura për herë të parë, në vlerë prej 304 milionë eurosh, ndërsa 1 mijë e 207 janë aneks-kontrata, me vlerë prej 55 milionë eurosh.
Bajrami ka përmendur si shembull edhe furnizimin me pelet nga komunat e Podujevës dhe Graçanicës, duke vënë në pah dallimin në çmimin e blerjes nga e njëjta kompani.
Sipas saj, Komuna e Podujevës e ka blerë peletin për 520 euro për ton përmes një kontrate të negociuar, ndërsa Komuna e Graçanicës e ka blerë për 380 euro për ton përmes një tenderi të hapur. Diferenca, sipas Bajramit, është 140 euro për ton.
“Rasti i fundit që ishte në media i furnizimit me pelet nga ana e komunave tregon më së miri dëmet/korrupsionin që bëhet me kontrata njëburimore”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka kërkuar që këto kontrata të hetohen, duke e lidhur çështjen e prokurimit publik edhe me shpenzimin e taksave të qytetarëve.
“Të gjitha kontratat që janë lidhë pa aprovim paraprak nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik janë vjedhje me letra e taksave të qytetarëve të këtij vendi, taksave edhe të atyre që shteti s’po ua siguron barnat për trajtimin e sëmundjes së kancerit. Përgjegjësi!”, ka shkruar Bajrami. /Lajmi.net/