Kosova importoi gati gjashtë herë më shumë sesa eksportoi në shtator, mbi 643 milionë euro mallra nga jashtë
Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 643.4 milionë eurosh gjatë muajit shtator 2026, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 109.4 milionë euro. Kjo do të thotë se vlera e mallrave të importuara ishte gati gjashtë herë më e lartë se ajo e mallrave të eksportuara. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës…
Lajme
Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 643.4 milionë eurosh gjatë muajit shtator 2026, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 109.4 milionë euro. Kjo do të thotë se vlera e mallrave të importuara ishte gati gjashtë herë më e lartë se ajo e mallrave të eksportuara.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me shtatorin e vitit 2025, eksportet kanë shënuar rritje prej 27.5 për qind, ndërsa importet janë rritur për 6.1 për qind.
Nga të dhënat rezulton se diferenca ndërmjet vlerës së importeve dhe eksporteve në shtator ishte 534 milionë euro.
Sa u përket produkteve të eksportuara, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, me 24.3 për qind. Pas tyre renditen produktet minerale me 17.1 për qind, plastika dhe goma me 10.3 për qind, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10.1 për qind.
Ndërkaq, në strukturën e importeve dominojnë produktet minerale me 19.8 për qind. Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani përbëjnë 11.8 për qind, mjetet e transportit 11.2 për qind, ndërsa makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 11.1 për qind të importeve të përgjithshme.
Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian përbën një pjesë të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Kosovës. Eksportet drejt këtyre vendeve gjatë shtatorit arritën në 34.2 milionë euro, apo 31.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, duke shënuar rritje prej 22.1 për qind.
Partnerët kryesorë të Kosovës për eksport brenda BE-së ishin Gjermania, me 9.8 për qind, Holanda me 2.7 për qind dhe Bullgaria me 2.3 për qind.
Në anën tjetër, importet nga vendet e Bashkimit Evropian arritën në rreth 281 milionë euro. Pjesën më të madhe të tyre e përbënin mallrat nga Gjermania, me 12.5 për qind, Greqia me 6.5 për qind dhe Italia me 4.4 për qind.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se, pavarësisht rritjes së eksporteve krahasuar me një vit më parë, vlera e mallrave që Kosova blen nga jashtë vazhdon të jetë dukshëm më e lartë se vlera e mallrave që shet në tregjet ndërkombëtare. /Lajmi.net/