Ambasadori gjerman: Radoiçiqi dhe të tjerët përgjegjës për sulmin në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se Milan Radoiçiqi dhe të gjithë personat përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Rudolph theksoi se Gjermania e ka bërë të qartë në disa raste qëndrimin e saj për përgjegjësinë e personave të përfshirë në sulmin e 24 shtatorit…
Lajme
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se Milan Radoiçiqi dhe të gjithë personat përgjegjës për sulmin e armatosur në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.
Rudolph theksoi se Gjermania e ka bërë të qartë në disa raste qëndrimin e saj për përgjegjësinë e personave të përfshirë në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
“Ne kemi thënë shumë qartë në shumë raste se Milan Radoiçiqi dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë duhet të mbahen përgjegjës para gjykatës”, deklaron Rudolph.
Duke folur për zgjedhjet në Serbi, ku shqiptarët po garojnë të bashkuar, si dhe për raportimet për presion dhe propagandë gjatë fushatës, ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka shprehur shpresën për avancimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Unë jam ambasador i Gjermanisë në Kosovë dhe nuk do të komentoj për procesin e brendshëm në Serbi. Por, ajo që mund të them është se shpresoj shumë që të krijohen kushtet për avancimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe, në fund, për arritjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, nënvizon Rudolph për Kosova Press.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Procesi vazhdon të përballet me sfida, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit të vitit 2023.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje vazhdimisht të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre, të shmangin veprimet që nxisin tensione dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për përparimin e procesit të normalizimit./Lajmi.net/