Prokuroria kërkon paraburgim për nëntë të dyshuar për mashtrime me Call Center në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik” përmes qendrave të thirrjeve Call Center. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar gjatë vitit 2026,…
Lajme
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik” përmes qendrave të thirrjeve Call Center.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor, në disa lokacione në Prishtinë, të cilat shfrytëzoheshin si qendra të thirrjeve, raporton lajmi.net
Lokacionet e përmendura përfshijnë rrugët “Muharrem Fejza” dhe “Ali Aliu Kelmendi”, si dhe vende të tjera të identifikuara nga autoritetet.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, të pandehurit, përmes paraqitjes së rreme të fakteve dhe me role të ndara, kanë vënë në lajthim persona të dëmtuar, përfshirë shtetas suedezë dhe shtetas të tjerë të huaj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.
Po ashtu, ata dyshohet se kanë përdorur pajisje dhe sisteme kompjuterike për të krijuar mundësi të qasjes në distancë në kompjuterët e personave të dëmtuar. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë paraqitur rrejshëm si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, duke i mashtruar viktimat për të përfituar financiarisht.
Nëntë të pandehurit janë ndaluar më 23 tetor 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim është dorëzuar në gjykatë, ndërsa vendimi për masën e sigurisë pritet të merret nga organet kompetente./Lajmi.net/