Apeli lë në fuqi paraburgimin njëmujor ndaj Gani Gecit

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin për caktimin e një muaji paraburgim ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj. Lajmi është konfirmuar nga Gjykata e Apelit, e cila në një përgjigje për media më 23 tetor ka bërë të ditur se ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, transmeton…

Lajme

23/10/2026 13:03

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin për caktimin e një muaji paraburgim ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Lajmi është konfirmuar nga Gjykata e Apelit, e cila në një përgjigje për media më 23 tetor ka bërë të ditur se ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, transmeton lajmi.net.

“Ju konfirmojmë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, të datës 14.10.2026”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Rasti lidhet me një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci, të cilin, sipas raportimeve të mëhershme, Gani Geci dyshohet se i kishte kërkuar gazetarit Mehmetaj ta ndryshonte ose ta largonte.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 11 tetor, në zyrat e Vox Kosova, ndërsa gazetari e kishte raportuar rastin në polici një ditë më vonë.

Në kuadër të rastit, Prokuroria kishte përmendur edhe qëndrimin e Gani Gecit për rreth dy orë pranë televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në emisionin “Debat Plus”.

Më 14 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar Gecit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, vendim që tashmë është vërtetuar edhe nga Apeli./lajmi.net/