Kurti takohet me komisioneren e BE-së, kërkon hapa konkretë për anëtarësimin e Kosovës në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit. Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe hapat konkretë drejt anëtarësimit…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe hapat konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shkruan lajmi.net.
Kurti ka theksuar se funksionimi i plotë i institucioneve do t’i mundësojë Kosovës përshpejtimin e reformave.
“Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtojë reformat”, ka shkruar ai.
Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe miratimin e ligjit të fundit për integrimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke vlerësuar se kjo do t’u sjellë përfitime financiare qytetarëve, bizneseve dhe diasporës.
Sipas Kurtit, ky integrim pritet t’u kursejë atyre rreth 58 milionë euro në vit.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se së shpejti pritet të nisin negociatat për përfshirjen e Kosovës në skemën “Roam Like at Home”, e cila mundëson përdorimin e shërbimeve të telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roamingut në zonën përkatëse.
Kurti ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta evropiane dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së të përkthehen në vendime konkrete nga institucionet evropiane.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë”, ka deklaruar ai.
Në këtë drejtim, kryeministri ka vlerësuar se mbështetja e Komisionit Evropian është e rëndësishme për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, veçanërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
“Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, ka theksuar Kurti.
Gjatë postimit, ai ka përmendur edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke kërkuar zbatimin e tyre nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.
Sipas Kurtit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e këtij procesi, përfshirë atë për njohjen e diplomave, dhe pret që ato të zbatohen nga të gjitha palët.
“…Të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/