Jashari: Dorëheqja e Bedri Hamzës i hap rrugë procesit të ri zgjedhor në PDK

Shemsi Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se dorëheqja e Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të partisë i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor të brendshëm. Jashari, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka thënë se vendimi i Hamzës ishte paralajmëruar më herët dhe se ai synon të mundësojë zhvillimin e…

Lajme

21/10/2026 19:22

Shemsi Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vlerësuar se dorëheqja e Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të partisë i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor të brendshëm.

Jashari, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka thënë se vendimi i Hamzës ishte paralajmëruar më herët dhe se ai synon të mundësojë zhvillimin e procesit zgjedhor pa ndikimin e kryetarit aktual.

“Kjo çfarë është formalizuar sot ka qenë e paralajmëruar nga vetë Hamza qysh kohë më herët. Duket se, ashtu siç është i përgjegjshëm, edhe ka qenë vazhdimisht Bedri Hamza në secilin pozicion që e ka marrë. Pozicionet që i ka pasur, i ka pasur për të kryer punë dhe jo për ego personale. Edhe kësaj here, me një veprim, tregoi që me të vërtetë është një njeri shumë i kompletuar, që jep dorëheqje për t’i hapur rrugë një procesi dhe të mos ndikojë nga pozicioni që e ka, në mënyrë që procesi i brendshëm zgjedhor të shkojë sa më mirë dhe të zgjidhet edhe lidershipi i ri”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka thënë se PDK-ja është dashur të organizojë zgjedhjet e brendshme edhe më herët, pasi afati i rregullt sipas statutit kishte kaluar prej rreth dy vjetësh.

Sipas Jasharit, mbajtja e zgjedhjeve të përsëritura në nivel qendror dhe zgjedhjeve të rregullta në nivel lokal e ka vështirësuar përmbushjen e këtij obligimi partiak.

“PDK-ja ka kohë, tashmë dy vjet, që e ka pasur afatin e rregullt sipas statutit të shkojë në procesin e brendshëm zgjedhor dhe t’i zgjedhë strukturat e reja. Por, për shkak të rrethanave, ku çdo gjashtë muaj kemi pasur zgjedhje, herë të nivelit qendror të përsëritura e herë të nivelit lokal të rregullta, PDK-ja e ka pasur të pamundur që ta realizojë një obligim sipas statutit”, ka thënë ai.

Jashari ka shtuar se, me kompletimin e institucioneve dhe krijimin e një mandati më të gjatë, janë krijuar kushtet që PDK-ja të nisë procesin e brendshëm zgjedhor dhe të zgjedhë strukturat e reja partiake.

Ndryshe, Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Të mërkurën ai e ka njoftuar edhe Kryesinë e partisë për vendimin.