Rusia liron 74-vjeçarin amerikan të burgosur për luftimet në Ukrainë, Trump: Po kthehet në shtëpi
Rusia ka liruar shtetasin amerikan Stephen Hubbard, 74 vjeç, i cili ishte dënuar me gati shtatë vite burg për akuzat se kishte luftuar në krah të Ukrainës. Lirimi i tij u bë i ditur teksa presidenti rus, Vladimir Putin, zhvillonte një takim në Shën Petersburg me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff. Sipas…
Bota
Rusia ka liruar shtetasin amerikan Stephen Hubbard, 74 vjeç, i cili ishte dënuar me gati shtatë vite burg për akuzat se kishte luftuar në krah të Ukrainës.
Lirimi i tij u bë i ditur teksa presidenti rus, Vladimir Putin, zhvillonte një takim në Shën Petersburg me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff.
Sipas deklaratave të Putinit gjatë takimit të së mërkurës, Hubbard ishte dërguar në aeroportin Pulkovo, nga ku pritet të niset drejt Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi më vonë lajmin, duke deklaruar se 74-vjeçari ishte “rrugës për t’u kthyer në shtëpi”. Ai theksoi se për lirimin e tij nuk ishte i nevojshëm një shkëmbim të burgosurish.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Trump bëri të ditur se lirimi erdhi pas një kërkese që ai i kishte drejtuar personalisht Putinit javën e kaluar.
Hubbard, një ish-mësues nga shteti i Miçiganit, u dënua në vitin 2024 me gati shtatë vite në një koloni penale ruse. Autoritetet ruse e akuzuan se kishte shërbyer në një njësi mbrojtëse në qytetin ukrainas të Iziumit, ku dyshohet se u kap nga forcat ruse pak pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022.
Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte klasifikuar më herët atë si person të ndaluar padrejtësisht. Sipas raportimeve të CBS News, Hubbard kishte probleme shëndetësore dhe pritet të dërgohet në Teksas për të marrë trajtim mjekësor.
Witkoff falënderon Putinin, kërkon rifillimin e bisedimeve për paqen
Gjatë takimit në Shën Petersburg, i dërguari amerikan Steve Witkoff vlerësoi vendimin e Putinit për lirimin e Hubbard, duke e cilësuar presidentin rus si një person humanitar.
Witkoff i kërkoi gjithashtu Putinit të shqyrtojë mundësinë e rifillimit të bisedimeve trepalëshe për paqen me Ukrainën, ndërsa lufta vijon prej më shumë se katër vitesh.
Takimi u zhvillua një ditë pasi Witkoff kishte zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Oslo të Norvegjisë. Një zyrtar amerikan i përshkroi ato si konstruktive.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se gjatë takimit në Shën Petersburg u diskutuan edhe rezultatet e bisedimeve në Oslo. Sipas raportimit, Witkoff kishte sjellë dokumente që përshkruanin qasjet e mundshme për procesin e paqes.
Ndër temat e tjera të diskutuara ishin situata në Iran, mundësia e një takimi në Kinë dhe bashkëpunimi ekonomik mes SHBA-së dhe Rusisë.
Marrëveshja për naftën dhe tensionet me Ukrainën
Gjatë takimit, Witkoff falënderoi gjithashtu Putinin për marrëveshjen e arritur në fillim të këtij muaji për importimin e naftës dizel ruse në SHBA, duke thënë se Trump ishte mirënjohës për këtë bashkëpunim.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, Putini deklaroi se dërgesa e parë e naftës dizel në kuadër të marrëveshjes do të nisej nga Rusia brenda dy deri në tri ditësh.
Marrëveshja ka shkaktuar pakënaqësi në Kiev dhe është shoqëruar me përkeqësim të marrëdhënieve mes administratës Trump dhe Ukrainës. Uashingtoni ka pezulluar disa masa sanksionuese ndaj Moskës, ndërsa Trump ka kritikuar gjithashtu sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Nga ana tjetër, Ukraina kishte akuzuar SHBA-në për ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës lidhur me sulmet vdekjeprurëse ruse, akuzë që Uashingtoni e ka kundërshtuar. Zelensky njoftoi të martën se shkëmbimi i informacionit të inteligjencës ishte rikthyer.
Ndërsa bisedimet zhvilloheshin në Shën Petersburg, presidenti ukrainas reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se shumëçka do të varej nga gatishmëria e palës amerikane për të dëgjuar nga Rusia propozime të reja për paqen dhe jo për vazhdimin e luftës.