Spajiq dhe Merz hapin nesër Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi, marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, do ta hapin nesër, më 22 tetor, Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Mal të Zi. Kështu bëri të ditur sot Qeveria e Malit të Zi. “Mali i Zi do të jetë nesër nikoqir i Samitit…

Lajme

21/10/2026 15:18

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, do ta hapin nesër, më 22 tetor, Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Mal të Zi.

Kështu bëri të ditur sot Qeveria e Malit të Zi.

“Mali i Zi do të jetë nesër nikoqir i Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, me të cilin vendi ynë përmbyll kryesimin e këtij viti të kësaj nisme të rëndësishme. Në kuadër të programit të kryesimit janë realizuar 26 ngjarje, prej të cilave 14 në nivel ministror. Ky është numri më i madh i aktiviteteve të realizuara gjatë një kryesimi në historinë e Procesit të Berlinit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë malazeze.

Sipas njoftimit, programi i kryesimit përfshiu takime ministrore kushtuar punëve të jashtme dhe të brendshme, ekonomisë, bujqësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe fushave të tjera me rëndësi për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Përveç takimeve në nivel të lartë politik, janë organizuar edhe një sërë aktivitetesh përcjellëse, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të komunitetit akademik dhe shkencor, shoqërisë civile, sektorit të biznesit, mediave dhe të rinjve. Kjo ka forcuar më tej gjithëpërfshirjen e Procesit të Berlinit dhe ka krijuar hapësirë për një dialog më të gjerë shoqëror mbi të ardhmen e rajonit”, thuhet në njoftim.

Aktiviteti përmbyllës i kryesimit malazez do të jetë Samiti i Liderëve, i cili do të mbahet nesër në Milloçer. Ai do të hapet nga kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Në samit do të marrin pjesë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të organizatave ndërkombëtare.

Pjesëmarrjen e saj e ka konfirmuar edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Sipas agjendës, ardhja zyrtare e liderëve është planifikuar për në orën 09:30, kur para vilës në Plazhin e Mbretëreshës do të mbahen deklarata për media, të hapura për të gjithë përfaqësuesit e akredituar të mediave.

Samiti pritet të nisë në orën 10:20, ndërsa takimi i liderëve do të jetë i mbyllur për media.

Konferenca e përbashkët për media e kryeministrit malazez dhe kancelarit gjerman është planifikuar për në orën 13:00, në hapësirën para vilës në Plazhin e Mbretëreshës.

Fotografia e përbashkët e pjesëmarrësve të samitit është planifikuar për në orën 13:30, para vilës “Milloçer”, dhe do të jetë e hapur për fotografët e akredituar, nëse kushtet atmosferike e lejojnë.

Në rast të motit të pafavorshëm, konferenca për media do të mbahet në hotelin “Maestral”, ku është siguruar edhe qendra për media. Fotografia e përbashkët do të jetë në dispozicion të mediave përmes llogarisë së Qeverisë së Malit të Zi në Flickr.