84 milionë euro për “Kosova B”, Rizvanolli dhe ambasadori i BE-së përcjellin punimet për uljen e ndotjes

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, kanë vizituar të martën Termocentralin “Kosova B”, ku nga afër kanë përcjellë punimet në projektin e elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (DeNOx). Sipas komunikatës së Ministrisë së Ekonomisë, projekti përfshin njësitë B1 dhe B2, ndërsa financimi nga…

Lajme

21/10/2026 17:18

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, kanë vizituar të martën Termocentralin “Kosova B”, ku nga afër kanë përcjellë punimet në projektin e elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (DeNOx).

Sipas komunikatës së Ministrisë së Ekonomisë, projekti përfshin njësitë B1 dhe B2, ndërsa financimi nga Bashkimi Evropian arrin në rreth 84 milionë euro.

Punimet në njësinë B1 kanë nisur në prill të këtij viti dhe planifikohet të përfundojnë në nëntor, ndërsa ndërhyrjet në njësinë B2 pritet të nisin në prill të vitit 2027.

Gjatë vizitës, Rizvanolli theksoi rëndësinë e përfundimit të punimeve brenda afatit të planifikuar, veçanërisht për rikthimin në kohë të njësisë B1 në operim, në funksion të sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë muajve të dimrit.

Projekti synon uljen e ndotjes nga termocentrali, duke reduktuar përqendrimin e pluhurit në gazrat dalëse në 20 mg/Nm³ dhe të oksideve të azotit në 200 mg/Nm³. Sipas objektivave të projektit, kjo nënkupton ulje deri në 18 herë të pluhurit dhe rreth tri herë të oksideve të azotit.

Ndërkaq, gjatë takimeve të kësaj jave, ministrja dhe ambasadori kanë diskutuar edhe reformat në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, përfshirë Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, i cili është në konsultim publik deri më 5 nëntor. Miratimi i tij lidhet me përmbushjen e një kushti të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 6.26 milionë euro.

Palët kanë vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e deritanishëm, përfshirë Pakon e Mbështetjes për Energjinë, në vlerë prej 75 milionë eurosh, nga e cila kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë. Përfundimi i kësaj pakoje u shënua më 16 tetor.

Në fund, Rizvanolli dhe Schuebel kanë ritheksuar angazhimin për bashkëpunim në realizimin e investimeve dhe reformave që synojnë rritjen e sigurisë energjetike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe modernizimin e sektorit të energjisë. /Lajmi.net/