Ndërrimi i foshnjës në Spitalin Amerikan, Ministri i Shëndetësisë tregon se çka ka bërë shteti në këtë rast

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me rastin e përzierjes së foshnjave në Spitalin Amerikan, duke thënë se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin në fuqi. Vitia bëri të ditur se është mbajtur një takim me kryeinspektorin dhe se është proceduar për komision disiplinor rasti…

Lajme

20/10/2026 16:19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me rastin e përzierjes së foshnjave në Spitalin Amerikan, duke thënë se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin në fuqi.

Vitia bëri të ditur se është mbajtur një takim me kryeinspektorin dhe se është proceduar për komision disiplinor rasti i inspektorëve që, sipas tij, dyshohet se kanë bërë shkelje gjatë procesit të inspektimit.

“Dje ka pasur një takim me kryeinspektorin dhe janë proceduar për komision disiplinor ata që, për momentin, supozohet se kanë bërë shkelje gjatë inspektimit. Të gjitha masat do të merren, nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion”, deklaroi Vitia.

Ministri theksoi se inspektorët shëndetësorë kanë për detyrë të monitorojnë institucionet publike dhe private, ndërsa në rastet kur identifikohen shkelje, duhet të ndërmerren masa adekuate, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ai shtoi se detajet lidhur me veprimet e ndërmarra do të bëhen të qarta nga kryeinspektori.

“Është e rëndësishme që, kur bëhet kontrolli dhe identifikohen shkelje, të merren masa adekuate konform ligjit në fuqi. Të gjitha këto do të bëhen të qarta nga kryeinspektori”, tha Vitia për media.