Dënohen dy persona në Prishtinë për narkotikë, mbi 6 mijë euro gjoba dhe burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy personave, A.P. dhe G.H., të cilët akuzohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve. Aktgjykimi është shpallur më 20 tetor 2026 nga Departamenti për Krime të Rënda, transmeton lajmi.net. Sipas vendimit, A.P. është dënuar me katër vjet burgim dhe 3 mijë euro…

Lajme

20/10/2026 12:30

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy personave, A.P. dhe G.H., të cilët akuzohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Aktgjykimi është shpallur më 20 tetor 2026 nga Departamenti për Krime të Rënda, transmeton lajmi.net.

Sipas vendimit, A.P. është dënuar me katër vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, ndërsa G.H. me dy vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Të dy janë shpallur fajtorë për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, të kryer në bashkëkryerje. Përveç kësaj, A.P. është shpallur fajtor edhe për një vepër tjetër penale që lidhet me narkotikët.

Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e 10 paketimeve me kokainë, me peshë totale prej tre gramësh, një këllëfi të armës dhe qeseve të najlonit që shërbenin për paketimin e marihuanës.

Përveç dënimeve me burgim dhe gjobave, të dy të dënuarit obligohen të paguajnë nga 100 euro për shpenzimet e paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Në rast se gjobat nuk paguhen, ato mund të zëvendësohen me burgim, me një ditë burg për çdo 20 euro të papaguara.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë./lajmi.net/