Zëvendësministrja e Brendshme në Shqipëri: Efektivët janë të lodhur, por në krye të detyrës
Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, ka sqaruar qëndrimin e institucioneve për përfshirjen e të miturve në protesta, angazhimin e efektivëve pas disa ditësh përballjeje në terren dhe rolin e Policisë së Shtetit. Në një intervistë për Euronews Albania, me moderatoren Mirela Milori, Ruseti tha se thirrja drejtuar prindërve dhe të miturve kishte karakter informues dhe…
Lajme
Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, ka sqaruar qëndrimin e institucioneve për përfshirjen e të miturve në protesta, angazhimin e efektivëve pas disa ditësh përballjeje në terren dhe rolin e Policisë së Shtetit.
Në një intervistë për Euronews Albania, me moderatoren Mirela Milori, Ruseti tha se thirrja drejtuar prindërve dhe të miturve kishte karakter informues dhe jo kërcënues.
“Thirrja e bërë kishte karakter informues dhe jo kërcënues për prindërit apo fëmijët”, u shpreh ajo.
Duke folur për kuadrin ligjor dhe përgjegjësinë e të miturve, zëvendësministrja theksoi se mosha mund të ndikojë në zbatimin e disa penaliteteve, por kjo nuk i përjashton qytetarët nga detyrimi për të respektuar ligjin.
“Të gjithë qytetarët e Shqipërisë duhet të respektojnë ligjin në fuqi”, deklaroi Ruseti.
Ajo sqaroi edhe ndarjen e përgjegjësive mes institucioneve, duke nënvizuar se policia nuk është organi që merr vendimin përfundimtar për personat e përfshirë në procedime.
“Policia kryen veprimet e saj, por është prokurorja që përcakton bazën ligjore dhe në fund është gjykata, si një organ i pavarur nga policia apo qeveria, ajo që merr vendimin përfundimtar, si për të miturit ashtu edhe për të rriturit”, tha Ruseti.
E pyetur nga Mirela Milori për gjendjen e efektivëve pas shumë ditësh angazhim në terren, Ruseti pranoi se policia është e lodhur, por theksoi se kjo nuk do të thotë se ajo nuk po përmbush detyrat e saj.
“Efektivët janë të lodhur, por kjo nuk do të thotë se nuk janë në krye të detyrës”, u shpreh zëvendësministrja.
Ajo nënvizoi se qëndrimi i institucioneve është që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore, por shtoi se policia duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe të përballet me rastet kur ndaj efektivëve përdoren mjete të forta.
“Ne dëshirojmë që protestat të jenë të paqta”, tha Ruseti, duke theksuar se policia është e angazhuar për të mbrojtur qytetarët që protestojnë paqësisht, por edhe për t’u bërë ballë personave që përdorin “gurë, mjete të forta apo piroteknike ndaj oficerëve”.
Gjatë intervistës në Euronews Albania, Ruseti përcolli edhe një mesazh për rolin e Policisë së Shtetit dhe raportin e saj me politikën.
“Policia nuk është e qeverisë, nuk është e kryeministrit, nuk është e një partie. Policia është policia e shtetit”, deklaroi ajo.
Zëvendësministrja shtoi se institucioni është i njëjti të cilit i drejtohet çdo qytetar kur ka nevojë për mbrojtje, pavarësisht rrethanave.
“Është po e njëjta polici tek e cila drejtohet çdo qytetar kur ka nevojë për mbrojtje në çdo situatë”, theksoi Ruseti.