Protestat në Tiranë, Ambasada e Zvicrës: Të ulen tensionet dhe t’i jepet përparësi dialogut
Ambasada e Zvicrës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private. Në një deklaratë, ambasada u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut, ndërsa thekson rëndësinë e garantimit të së drejtës…
Lajme
Ambasada e Zvicrës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Në një deklaratë, ambasada u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut, ndërsa thekson rëndësinë e garantimit të së drejtës për protestë paqësore, lirisë së medias dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nga forcat e sigurisë.
“Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike. U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias, u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë, raporton tch, përcjell KosovaPress.
Kujtojmë, sot është dita e shtatë e protestave në Tiranë, e cila nisi me revoltën e studentëve më 13 tetor dhe u përshkallëzua në tubim të dhunshëm, së cilës i janë bashkuar tashmë edhe qytetarë.
Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama tha se do të jenë prindërit ata që do të mbajnë përgjegjësi për aktet e dhunës së fëmijëve të tyre të mitur në protestë.