Skandal: Një shtetas i huaj arrin të futet në tunelet e Kampit të Njësive Speciale, filmon gjithçka dhe i publikon pamjet
YouTuberi nga Anglia, Matt Nadin, pretendohet se ka arritur të hyjë pa pengesa në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë të Fushë-Kosovës, ku ka filmuar hapësirat brenda këtij objekti. Në videon e publikuar në platformën YouTube, Nadin shihet duke xhiruar me telefonin e tij pjesë të hapësirës së kampit, pa u…
Lajme
YouTuberi nga Anglia, Matt Nadin, pretendohet se ka arritur të hyjë pa pengesa në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë të Fushë-Kosovës, ku ka filmuar hapësirat brenda këtij objekti.
Në videon e publikuar në platformën YouTube, Nadin shihet duke xhiruar me telefonin e tij pjesë të hapësirës së kampit, pa u penguar nga ndonjë zyrtar, sipas përshkrimit të rastit.
Ajo që ngre shqetësime është fakti se, sipas pamjeve, ai arrin të filmojë edhe pajisje dhe mjete të konfiskuara nga Policia e Kosovës. Po ashtu, drejt fundit të videos, ai tregon edhe shtegun përmes të cilit pretendohet se ka hyrë në kamp.
Ky rast ngre pikëpyetje për masat e sigurisë dhe kontrollin e qasjes në hapësirat që shfrytëzohen nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Çështja bëhet edhe më e ndjeshme në kontekstin e deklaratave të mëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili, kur ishte pyetur për kampet e njësive speciale, kishte deklaruar se nuk mund të jepte informacione që konsiderohen konfidenciale.
Nëse informacione të caktuara për këto objekte konsiderohen konfidenciale, atëherë shtrohet pyetja: si arriti një YouTuber i huaj të hyjë dhe të filmojë brenda kampit pa u penguar?
Deri më tani, nga informacionet e paraqitura nuk është bërë e ditur nëse Policia e Kosovës ka nisur ndonjë verifikim lidhur me këtë rast apo nëse ka reaguar zyrtarisht për rrethanat e hyrjes së tij në objekt./Lajmi.net/
