Spiropali i çon letër Ramës: Ed, dil përballë qytetarëve
Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit Edi Rama, në të cilën kërkon ndryshime politike dhe institucionale, duke e paralajmëruar se shumica parlamentare nuk mund ta zëvendësojë besimin e qytetarëve. Në letrën e saj, Spiropali i kërkon Ramës ta shohë protestën jo vetëm si një kërcënim për pushtetin,…
Lajme
Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit Edi Rama, në të cilën kërkon ndryshime politike dhe institucionale, duke e paralajmëruar se shumica parlamentare nuk mund ta zëvendësojë besimin e qytetarëve.
Në letrën e saj, Spiropali i kërkon Ramës ta shohë protestën jo vetëm si një kërcënim për pushtetin, por si një mesazh politik dhe një shenjë të pakënaqësisë së qytetarëve, të cilët, sipas saj, ndihen të padëgjuar dhe të papërfaqësuar.
Ajo e lidh përshkallëzimin e situatës në Tiranë me pakënaqësitë e akumuluara, duke përmendur edhe vendosjen e kangjellave, të cilat, sipas saj, u shndërruan në simbol të distancës mes pushtetit dhe qytetarëve.
“82 mandatet nuk janë mandat për të mos dhënë llogari. Janë përgjegjësi për të qeverisur edhe për ata që nuk na kanë votuar”, shkruan Spiropali.
Ajo thekson se dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik, por as reagimi vetëm përmes forcave të rendit nuk mund ta zgjidhë krizën. Sipas saj, situata kërkon përgjegjësi politike, dialog dhe vendime konkrete.
Kjo është letra e plotë e Spiropalit:
Letër Edi Ramës
Ed’,
Përfytyroje veten si demonstrues, në mes të protestës, mes njerëzve që kanë dalë në rrugë sepse ndihen të padëgjuar, të papërfaqësuar, të prerë në besë, të lodhur.
Përfytyroje veten jo si kryeministër që e sheh protestën nga larg, përmes ekraneve, por si i ri që qëndron mes turmës, dëgjon britmat, ndjen frikën, dhe konsidero kryesoren, se ky zemërim nuk lindi sot.
Gjithçka nisi me kangjellat që u vendosën për të ndarë njerëzit nga hapësira e tyre, qytetarin nga qyteti, protestën nga institucioni.
Në fillim dukej si një çështje e vogël, si një debat për një hapësirë publike, për drurët, betonin, mënyrën se si merret një vendim. Por kangjellat shpejt u bënë simbol i një pushteti që ndan, që vendos pengesa mes vetes dhe njerëzve.
Nga kangjellat erdhëm te zemërimi. Nga zemërimi te përplasja. Dhe ja, sot Tirana është në flakë. Pamje që iu dhemb të gjithë atyre që e duan Shqipërinë me gjithë shpirt.
Kjo është pamja që duhet ta shohësh me kthjelltësi: jo vetëm si një varg ngjarjesh, por si një mesazh politik.
Kur një qytetar nuk gjen më derë ku të trokasë, ai del në rrugë.
Kur rruga nuk dëgjohet, zemërimi bëhet më i fortë.
Kur pushteti e sheh çdo kritikë si komplot, çdo protestë si kërcënim, çdo kundërshtar si armik, atëherë shoqëria fillon të flasë me gjuhën e dhunës.
Dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik. As dhuna sistemike e vendimeve të gabuara.
Nga protesta, mes zërave, zemërimit dhe frikës, kuptohet më qartë se kriza nuk zgjidhet me deklarata nga zyrat, me distancë nga njerëzit apo me justifikime politike. Ajo kërkon të dëgjosh drejtpërdrejt, të pranosh atë që nuk shkon, të marrësh përgjegjësi politike, dhe të marrësh vendime efektive.
Njeriu nuk revoltohet vetëm nga ajo që i mungon.
Njeriu revoltohet edhe nga ndjenja se askush nuk e dëgjon. Dhe një pushtet që nuk dëgjon Njeriun, sado i fuqishëm të jetë, fillon të bëhet i brishtë sepse revolton ndjenjën më të thellë njerëzore; dinjitetin.
Nëse më pyet çfarë duhet të bësh tani, përgjigjja është e thjeshtë:
Jep zgjidhje politike. Pa tabu, pa kufij dhe pa frikë.
Dil përballë qytetarëve.
Mos u fshih pas shumicës, institucioneve, apo numrit të mandateve. Prano se besimi nuk rikthehet me fjalë, por me përgjegjësi dhe veprime.
Brenda protestës, të rinjtë e Shqipërisë nuk kërkojnë dhe nuk mjaftohen vetëm me qetësi.
Njerëzit kërkojnë drejtësi, dinjitet, transparencë dhe garanci. Zëri i tyre nuk do të dëgjohet vetëm kur rruga mbushet dhe zemërimi bëhet i pamundur për t’u shpërfillur.
Këtë herë ata nuk kanë dalë vetëm për kangjellat. Kanë dalë për mënyrën se si vendoset për ta pa prezencën e tyre. Kanë dalë për një administratë ku punësimi shpesh lidhet me arsye obskure, dhe jo me meritën.
Kanë dalë se jeta mund t’u ndryshojë nga arbitrariteti, dhe s’kanë ku përplasen.
Për një ekonomi ku lidhja me pushtetin vlen më shumë se puna. Përzgjedhja më shumë se konkurrenca.
Për një drejtësi që shpesh duket e vonuar.
Për një politikë që kërkon votën e tyre, e cila gjithnjë e më pak ndryshon, se fituesit mburren dhe humbësit treten. Për mbrojtjen e të pambrojtëshmes dhe nëpërkëmbjen e moralit politik.
Kanë dalë për këto dhe të tjera, por po shpërfillen.
Dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik. Por as shuarja e zjarrit nuk mund të jetë përgjigjja ndaj krizës. Ajo që po ndodh nuk është vetëm një përplasje në rrugë. Është një tronditje e besimit, tretje e legjitimitetit, dhe një paralajmërim se mënyra e qeverisjes duhet të ndryshojë.
Mos e shih këtë protestë vetëm si një kërcënim për pushtetin. Shihe si një mundësi për të kuptuar se çfarë po ndodh me vendin dhe me njerëzit që qeveris. Nëse do të mbrosh atë që është ndërtuar, duhet të jesh i pari që hap rrugën për ndryshim.
Pushteti nuk rrëzohet gjithmonë nga kundërshtarët. Shpesh rrëzohet nga paaftësia për të kuptuar kohën. Historia i ka ndëshkuar ata që kanë menduar se një shumicë parlamentare mund ta zëvendësojë besimin e qytetarëve.
82 mandatet nuk janë mandat për të mos dhënë llogari. Janë përgjegjësi për të qeverisur edhe për ata që nuk na kanë votuar.
Njerëzit nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë që shteti të mos jetë i fortë vetëm me të dobëtit. Pushtetet të jenë të ndara dhe të përgjegjshme. Kërkojnë që administrata të mos përdoret për presion, që punësimi të mos varet nga lidhjet, që favoret të mos shpërndahen me lidhje preferenciale, dhe që drejtësia të mos vijë vetëm pasi dëmi është bërë. Kërkojnë që monopolet të luftohen dhe jeta të jetë e përballueshme dhe njerëzore.
Një qytetar që humbet vendin e punës apo nuk promovohet sepse nuk pranon të bëhet pjesë e asnjë pazari, nuk është statistikë.
Një biznes që mbyllet sepse nuk ka lidhje me pushtetin nuk është thjesht një humbës në treg.
Një familje që pret vite për drejtësi nuk është një dosje. Një familje punëtore që nuk përballon dot jetën, nuk është përjashtim.
Janë njerëz që, pak nga pak, humbin besimin se shteti është i tyre.
Nuk mund të mbrohet një kastë e privilegjuar në emër të mbrojtjes së qeverisjes.
Nuk mund të mbrohen të plotfuqishmit që përdorin pushtetin për të shkelur mbi njerëzit, pronën, biznesin dhe parimet. Përgjegjësia ligjore nuk e përjashton përgjegjësinë politike.
Korrupsioni nuk luftohet vetëm me SPAK apo prokurori’. Luftohet duke ndërtuar një model ekonomik dhe institucional ku konkurrenca është e ndershme dhe suksesi nuk varet nga lidhjet me pushtetin.
Një shtet nuk matet vetëm me rrugët që ndërton, por me drejtësinë që garanton. Nuk matet vetëm me shifrat e rritjes, por me mënyrën se si jeton njeriu i zakonshëm. Nuk matet vetëm me numrin e investimeve, por me pyetjen nëse qytetari ka mundësi për të jetuar me dinjitet, për të konkurruar dhe për të ndërtuar jetën i lirë.
Na duhet një ripërtëritje morale në themel të institucioneve. Një politikë që vendos në qendër njeriun dhe dinjitetin e tij, jo interesin e atyre që kanë pushtet të pakufijshëm dhe të pajustifikuar.
Institucionet nuk mbahen vetëm nga godinat dhe ligjet, por nga besimi i qytetarëve.
Kur ligji zbatohet vetëm për të dobëtin, ai nuk është më drejtësi, por frikë e organizuar.
Kur institucioni mbron vetëm të fortin, ai nuk është më shtet, por një mur përballë qytetarit.
Kjo protestë kërkon një përgjigje politike, jo vetëm përgjigje policore. Kërkon një tryezë dialogu të vërtetë kombëtar për reformat themelore, për një sistem zgjedhor konsensual që garanton përfaqësim real, për ndarjen e partisë nga shteti dhe për çlirimin e institucioneve nga instrumentalizimi politik.
Nuk mund të kërkojmë qetësi duke mbyllur gojën e të rinjve, sado çjerrës të jetë zëri i revoltuar. Qetësia e vërtetë nuk është mungesa e zhurmës; është prania e drejtësisë. Një shoqëri nuk është e qetë sepse nuk proteston, por sepse ka besim se mund të ndryshojë pa u përplasur.
Deputetët nuk mund të vazhdojnë të varen vetëm nga listat e mbyllura dhe nga interesi i mbijetesës politike. Duhet më shumë konkurrencë, më shumë liri dhe më pak kontroll mbi jetën e njerëzve.
Një deputet duhet t’i përgjigjet qytetarit, jo vetëm kryetarit të partisë. Përndryshe parlamenti kthehet në një sallë numërimi, ku votat mblidhen, por zërat shuhen, humbasin.
Edhe Partia Socialiste duhet të ketë kurajën të ndryshojë. Me zgjedhje të vërteta brenda saj, me meritë, vetëkorrigjim, përgjegjësi dhe hapjen e rrugës për një brez të ri drejtuesish.
Mblidhi strukturat e PS të marrin vendime. Udhëhiqe procesin e ndryshimeve, mos përforco mitin e pazëvëndueshmërisë. Duhet të kalojmë nga kultura e individit në kulturën e institucionit.
Një parti që nuk di të ndryshojë nga brenda, shpejt detyrohet të ndryshojë nga jashtë. Dhe ndryshimi i imponuar nga rruga është gjithmonë më i dhimbshëm se ndryshimi i menduar në kohë.
Nuk duhen njerëz besnikë ndaj partisë me çdo kusht, por një parti besnike ndaj Shqipërisë.
As rotacioni politik nuk duhet të jetë tabu. As zgjedhjet e reja nuk duhet të shihen si kërcënim, nëse ato bëhen pjesë e një zgjidhjeje demokratike, me garanci për konkurrencë të lirë dhe pjesëmarrje të të gjithëve. Zgjedhjet duhet të jenë një mundësi për të rikthyer besimin, jo një përplasje tjetër që e ndan vendin në kampe armiqësore.
Demokracia nuk është pronë e atij që fiton. Ajo është përgjegjësi e atij që fiton, dhe mbrojtje për atë që humbet.
Nëse zgjedhjet shihen vetëm si mënyrë për të marrë pushtetin, atëherë ato mbeten një lodhje e kotë, një ritual bosh, një arkivol i fitores.
Nëse zgjedhjet shihen si mënyrë për t’i dhënë qytetarit zë, atëherë bëhen themel i shtetit, garanci e zhvillimit.
Duhet të hapen shtigjet demokratike kudo, që të mos mbyllen rrugët nga barrikadat.
Është ora e ndryshimit.
Ndjeje si përgjegjësi madhore.
Nuk mjafton të thuash se vendi po ecën përpara, nëse një pjesë e madhe e qytetarëve ndihen të harruar.
Nuk mjafton të flasësh për modernizim, nëse të rinjtë nuk e ndiejnë veten pjesë të së ardhmes.
Nuk mjafton të fitosh numerikisht zgjedhjet, nëse humbet besimin e njerëzve.
Nga kangjellat deri te flakët e sotme në mes të Tiranës, mesazhi është i qartë: njerëzit nuk duan të jetojnë në një vend ku pushteti i sheh vetëm si numra, vetëm si vota që duhen numëruar, vetëm si turma që duhen menaxhuar. Ata duan të shihen si qytetarë, si individë me të drejtë për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari.
Unë besoj se politika duhet të jetë aty ku njerëzit kërkojnë përgjigje.
Përgjigja që presin prej teje nuk është një tjetër fjalim. Është një vendim.
Një vendim për të mos e mbrojtur pushtetin me çdo kusht. Një vendim për të mos i quajtur armiq ata që kërkojnë drejtësi. Një vendim për të mos e ngatërruar heshtjen me paqen dhe bindjen me besnikërinë.
Shqipëria mbi të gjitha. Jo partia mbi të gjitha. As pushteti mbi të gjitha.
Tani nuk mjafton të fitosh zgjedhje.
Tani duhet të rikthesh besimin.
Tani duhet të fitojë Shqipëria.
Nuk duhet ta mposhtim shoqerine, duhet ta lartesojme.
Ti idealisti i dikurshem, Ti intelektuali që tallej me banalitetin dhe në 2013 shumë të djathtë të panë me simpati – mundesh!
Këto t’i thotë një njeri që të çmon, që beson se e mira brenda teje është pakrahasimisht më e madhe se gjithçka tjetër.