Rama për Lojërat Mesdhetare: Ne i kemi kryer obligimet tona, Qeverisë i mbetet t’i kryejë obligimet e saj – duket që ministrit i duken hajgare këto letra

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç thotë ai, neglizhencë në përmbushjen e obligimeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Rama deklaroi se Komuna e Prishtinës i ka përmbushur detyrat e saj, ndërsa përgjegjësia për hapat e mbetur, sipas tij,…

Lajme

15/10/2026 21:31

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç thotë ai, neglizhencë në përmbushjen e obligimeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Rama deklaroi se Komuna e Prishtinës i ka përmbushur detyrat e saj, ndërsa përgjegjësia për hapat e mbetur, sipas tij, i takon Qeverisë, transmeton lajmi.net.

“Ne i kemi kryer obligimet tona, Qeverisë i mbetet t’i kryejë obligimet e saj. Nuk jemi duke bërë lojëra këtu. Duket që ministrit i duken hajgare këto letra”, u shpreh Rama.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur organizimi i Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 është shndërruar në temë përplasjeje mes kryetarit të Prishtinës dhe përfaqësuesve të Qeverisë.

Të enjten, Rama paralajmëroi se Kosova rrezikon ta humbasë organizimin e këtij eventi, duke publikuar një korrespondencë të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), në të cilën, sipas tij, shprehen shqetësime për mungesën e përgjigjeve institucionale. Ai tha se çështja pritet të shqyrtohet më 19 dhjetor dhe se mund të thirret një Asamble e Jashtëzakonshme për të vendosur për të ardhmen e organizimit.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i cili i cilësoi pretendimet e Ramës si alarm të pabazë dhe dramatizim të panevojshëm. Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe se do të jetë garantuese e tyre.

Përplasja mes dy palëve pritet të vazhdojë, ndërsa mbetet të shihet se si do të adresohen shqetësimet e ngritura lidhur me përgatitjet dhe përgjegjësitë institucionale për “Prishtina 2030”./lajmi.net/