“Jemi me ju, mos na dëmtoni!” – Mesazhi i bizneseve për protestuesit pas sulmeve në Tiranë

“Jemi me ju, mos na dëmtoni!”… ky është mesazhi i shkruar në letër dhe i ngjitur në vitrinat e disa bizneseve të vogla, në rrugët e kryeqytetit, kryesisht në zonën pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa biznese u sulmuan dhe ju vu edhe zjarri në ditën e dytë të protestës. Mesazhi u drejtohet protestuesve, të…

Lajme

15/10/2026 13:38

“Jemi me ju, mos na dëmtoni!”… ky është mesazhi i shkruar në letër dhe i ngjitur në vitrinat e disa bizneseve të vogla, në rrugët e kryeqytetit, kryesisht në zonën pranë Ministrisë së Arsimit, ku disa biznese u sulmuan dhe ju vu edhe zjarri në ditën e dytë të protestës.

Mesazhi u drejtohet protestuesve, të cilëve u shprehet mbështetja, por edhe u kërkohet t’i kursejnë nga sulmet dhe aktet e dhunës e vandalizmit, që u panë për rreth 12 orë në Tiranë.

Bizneset kërkojnë që prona private të ruhet, teksa mbështetja për kauzën e të rinjve nuk duhet të shoqërohet me dëmtime të aktiviteteve të tyre ekonomike.

Sakaq, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë u ka bërë thirrje bizneseve në vend që të solidarizohen me protestat dhe të mbyllin përkohësisht aktivitetin gjatë zhvillimit të tyre.

Në një deklaratë publike, shoqata e cilëson këtë mbështetje si të rëndësishme për interesat e sipërmarrjes, familjet dhe të ardhmen e fëmijëve, ndërsa u kërkon bizneseve të ndihmojnë protestuesit. Shoqata thekson se ka qenë vazhdimisht e pranishme në protesta, në koordinim me shoqërinë civile, për të denoncuar korrupsionin dhe ato që i cilëson si afera korruptive të qeverisë.

Në deklaratën e saj, ajo u bën apel sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm që të vijojnë mbështetjen ndaj protestave që po zhvillohen në vend, duke e lidhur këtë qëndrim me interesat e tyre ekonomike dhe sociale.