​Kusari-Lila rrëfen përballjen me kancerin e gjirit: Heshtja dhe stigma duhet të thyhen

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka ndarë përvojën e saj personale me kancerin e gjirit, me rastin e Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për këtë sëmundje. Kusari-Lila, e cila ishte e ftuar nga Bordi i Studentëve të RIT Kosova, tha se në tetor të vitit 2024 ishte diagnostikuar me kancer të gjirit…

Lajme

14/10/2026 15:37

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, ka ndarë përvojën e saj personale me kancerin e gjirit, me rastin e Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.

Kusari-Lila, e cila ishte e ftuar nga Bordi i Studentëve të RIT Kosova, tha se në tetor të vitit 2024 ishte diagnostikuar me kancer të gjirit në stadin fillestar.

Ajo theksoi rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes, duke thënë se kanceri nuk zgjedh, por rëndësi thelbësore ka sa shpejt kuptohet prania e tij në organizëm.

“Kancerin nuk e zgjedh; ai të shfaqet. Por rëndësi thelbësore ka sa shpejt e kuptojmë se kanceri është i pranishëm në organizmin tonë”, shkruan Kusari-Lila në Facebook. .

Duke folur për përballjen me sëmundjen, ajo tha se kishte vendosur të fliste hapur dhe të mos e përjetonte betejën në heshtje.

“Mund të mos flisja, të vuaja dhe të bëja pyetjen: pse pikërisht unë? Por nuk bëra as të parën, as të dytën. Vendosa të flas dhe të mos gjykoj as Zotin, as robin për sëmundjen time”, ka thënë ajo.

Sipas saj, zbulimi i hershëm i kancerit rrit ndjeshëm mundësitë për shërim, ndërsa rëndësi të madhe ka edhe ruajtja e besimit dhe gjetja e forcës për ta tejkaluar sëmundjen.

Kusari-Lila tha se Tetori Rozë simbolizon ndërgjegjësimin, shpresën për jetën, dashurinë ndaj saj dhe forcimin e shpirtit.

“Heshtja dhe stigma duhet të thyhen, ndërsa beteja e secilës grua duhet të bëhet betejë e të gjithë shoqërisë”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se në diskutimin me studentët e RIT Kosova i ka bërë përshtypje kurioziteti dhe gatishmëria e tyre për të pyetur, kuptuar dhe mësuar.

Sipas Kusari-Lilës, ndërgjegjësimi fillon me një bisedë të hapur, por mesazhi duhet të arrijë te secili, sidomos në komunitetet ku ende nuk flitet mjaftueshëm për këtë temë.

Në fund, ajo bëri thirrje që në këto diskutime të përfshihen edhe djemtë dhe burrat, pasi, siç tha ajo, ata duhet të kuptojnë, të dëgjojnë dhe të mbështesin gratë, sepse përballja me sëmundjen nuk duhet të nënkuptojë edhe përballje të vetmuar me të.