Qeveria nuk tregon afatet për strategjinë për ish-krerët e UÇK-së: E rëndësishme është të fillojë puna

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se ende nuk ka afate të përcaktuara për hartimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Hoti ka bërë të…

Lajme

14/10/2026 10:42

Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se ende nuk ka afate të përcaktuara për hartimin e strategjisë shtetërore për procedurat e Apelit në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Hoti ka bërë të ditur se tashmë është themeluar grupi punues që do të merret me hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie, ndërsa në krye të tij do të jetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, transmeton lajmi.net.

Ai ka theksuar se përbërja e grupit do të përfshijë përfaqësim institucional dhe parlamentar, ndërsa puna do të përqendrohet në koordinimin e mbështetjes juridike, institucionale dhe diplomatike për procesin e Apelit.

“Qeveria është përkushtuar që të themelojë një strategji. Në krye të grupit do të jetë zv/kryeministri Glauk Konjufca, në mënyrë që ne të mbrojmë udhëheqësit tanë të luftës që gjenden në Hagë. Ne vetëm kemi themeluar Grupin Punues, do të ketë edhe përfaqësim institucional dhe parlamentar”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka shtuar se strategjia synon të konkretizojë angazhimin e Qeverisë për drejtësi dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.

“Do të bashkërendohet mbështetja juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim, konkretizohet zotimi që kemi dhënë disa herë me mjetet që ne si qeveri kemi në dispozicion, që të angazhohemi për drejtësi dhe mbrojtjen e të vërtetës historike”, është shprehur ai.

Sa u përket afateve kohore për përfundimin e strategjisë, Hoti ka thënë se ato varen nga disa faktorë, duke nënvizuar se prioritet është nisja e punës dhe trajtimi i kujdesshëm i procesit.

“Afatet kohore se kur do të realizohet strategjia, varen prej shumë faktorëve. Për ne është e rëndësishme që të fillojë, të trajtohet në radhë të parë, të mos bëjmë gabime të mundshme siç i kemi parë, që të ngutemi”, ka thënë Hoti në konferencën për media.

Ministri ka përsëritur qëndrimin e tij se vendimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë moral, duke argumentuar se lufta e UÇK-së kishte për qëllim mbrojtjen e popullit të Kosovës.

“Ne kemi thënë qëndrimet tona disa herë publikisht, që për ne është edhe juridikisht, edhe moralisht, i padrejtë një vendim i tillë që është dhënë para një muaji në Gjykatën Speciale. Edhe është i pasaktë historikisht, sepse UÇK rrjedh nga populli i saj, si derivat për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe në asnjë rrethanë, asnjë gjykatë, nuk mund të gjykojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të themelojë grupin punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës./lajmi.net/