Dosja e Prokurorisë: Gani Geci kërcënoi me vrasje Lirim Mehmetajn nëse nuk e ndryshonte postimin për Fatos Gecin
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj. Në kërkesën që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, thuhet se kanosja ndodhi në zyrat e portalit “Vox Kosova”. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Në kërkesën që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, thuhet se kanosja ndodhi në zyrat e portalit “Vox Kosova”.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë, për shkak të një postimi të publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj në rrjetin social Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, me qëllim që ta detyrojë të dëmtuarin ta largojë ose ta ndryshojë përmbajtjen e postimit, pasi ky i fundit kishte refuzuar kërkesën e tij, thuhet se ka kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.
“…duke ia përsëritur kërkesën me fjalët: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra“, thuhet në kërkesë.
Më tej, sipas “Betimit për Drejtësi”, thuhet se më 12 tetor 2016 derisa i dëmtuari ishte në emisionin “Debat Plus” në cilësinë e panelistit, i dyshuari Geci kishte shkuar në afersi të një televizioni, ku edhe kishte postuar video në rrjetin social Tik-Tok për t’ia bëre me dije të dëmtuarit se ndodhej aty dhe e kishte pritur përreth dy orë që të dilte nga studio.
Me këto veprime, ka shkaktuar tek i dëmtuari ndjenjën e frikës, ankthit e pasigurisë.
Andaj, për këto veprime, Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Ndryshe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca dëgjimore pritet të mbahet sot nga ora 13:30.
Seanca pritet të mbahet tek gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti.
Prokuroria një ditë më parë njoftoi se Geci u ndalua për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Kanosja’’, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Prokurorisë, dyshimet fillestare janë se i dyshuari Geci ka kanosur gazetarin Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij. Mehmetaj u intervistua si i dëmtuar.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme. Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhej në njoftim.
Kujtojmë se Mehmetaj i ftuar në emisionin “Debat Plus” tha se pas publikimit të një postimi lidhur me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, nga familja Geci i kanë kërkuar ta fshijë postimin ose ta ndryshojë përmbajtjen. Ai tha se pas refuzimit, ka lajmëruar rastin në Polici për kanosje.