Konjufca në Pragë: Kosova dëshmi e suksesit të bashkëpunimit me SHBA-në dhe BE-në
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, ku ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Në panelin “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”,…
Lajme
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, ku ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Në panelin “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”, Konjufca ka theksuar se Kosova është dëshmi konkrete e suksesit të bashkëpunimit transatlantik.
Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim të vazhdueshëm që nga përfundimi i luftës, duke ndërtuar institucione demokratike dhe duke ruajtur paqen, falë qëndrueshmërisë së institucioneve dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Gjatë diskutimit, Konjufca iu referua edhe sulmeve në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se, pavarësisht kërcënimeve dhe përpjekjeve për destabilizim, institucionet e Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri dhe kapacitet për të mbrojtur sigurinë e vendit.
Ai theksoi se mbështetja e partnerëve transatlantikë ka rëndësi të veçantë për përballimin e sfidave të sigurisë.
Në përfundim, Konjufca tha se përvoja e Kosovës dëshmon rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit transatlantik për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. /Lajmi.net/