Ymeri kërkon sqarime për pagesat e fermerëve dhe paralajmëron rikthimin e çështjes së grurit serb në Kuvend
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë të ditur se i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me pagesat direkte për vitin 2026. “Për informim, sot kam nisur një letër kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me pagesat direkte 2026. Kjo çështje pra fakti…
Lajme
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka bërë të ditur se i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me pagesat direkte për vitin 2026.
“Për informim, sot kam nisur një letër kërkesë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me pagesat direkte 2026.
Kjo çështje pra fakti që ende nuk janë paguar fermerët tanimë në muajin tetor vjen nga ankesat e fermerëve, për çfarë e pash të arsyeshme të marr edhe një përgjigje zyrtare” shkroi ajo .
Në një postim në Facebook, Ymeri ka thënë se kërkesën e ka bërë pas ankesave të fermerëve, të cilët ende nuk janë paguar edhe pse ka hyrë muaji tetor.
Ajo ka kritikuar Ministrinë për mungesën e përgjigjeve, duke theksuar se heshtja nuk është zgjidhje për një çështje kaq të rëndësishme.Ymeri ka paralajmëruar gjithashtu se çështjen e informatave për grurin serb do ta rikthejë në Kuvendin e Kosovës përmes seancave parlamentare, nëse nuk merret parasysh paralajmërimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi .
“Shpresoj që stafi i Ministrisë përveç ministrit Armend Muja është në dijeni që heshtja, mos-përgjigja nuk është zgjidhje sidomos për këtë çështje kaq të rëndësishme.
Sa për fshehjen e informatave për grurin serb, në rast se nuk merret parasysh as paralajmërimi nga AIP, tema do rikthehet me anë seancave në Kuvendin e Kosovës” tha Ymeri.