Kapet dy ditë radhazi duke vozitur mbi 140 km/h në zonën 60 km/h, gjobitet me 1000 euro dhe i sekuestrohet vetura

Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba të rënda ndaj një kundërvajtësi që është kapur dy ditë radhazi duke tejkaluar dukshëm kufizimin e shpejtësisë në rrugën Prishtinë–Pejë, në fshatin Qyshk. Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, më 10 tetor 2026, shoferi është kapur duke vozitur me 164 km/h në zonën ku kufizimi i…

Lajme

12/10/2026 19:37

Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba të rënda ndaj një kundërvajtësi që është kapur dy ditë radhazi duke tejkaluar dukshëm kufizimin e shpejtësisë në rrugën Prishtinë–Pejë, në fshatin Qyshk.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, më 10 tetor 2026, shoferi është kapur duke vozitur me 164 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h. Matja është bërë me radar laser, ndërsa atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse prej gjashtë muajsh.

Të nesërmen, më 11 tetor, i njëjti kundërvajtës është kapur sërish në të njëjtin lokacion, këtë herë duke vozitur me 140 km/h, po ashtu në zonën e kufizuar në 60 km/h.

Policia ka bërë të ditur se shoferi kishte ndalesë për drejtimin e automjetit deri më 18 nëntor 2026. Për shkeljen e dytë, atij i është shqiptuar sërish gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse prej gjashtë muajsh, si dhe i është sekuestruar automjeti.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se do të vazhdojë aktivitetet në terren për parandalimin e aksidenteve, duke theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj kundërvajtësve në komunikacion.